Prishtinë, 6 maj 2021 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë bëri thirrje për shkarkimin e zëvendës-kryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme e Diaposrës, Donika Gërvalla, për shkak të komenteve të saj të para pesë vjetëve lidhur me Gjykatën Speciale me seli në Hagë.
Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, bëri thirrje të enjten për shkarkimin e zonjës Gërvalla sepse në vitin 2016 ajo kishte thënë se ishte e gatshme të siguronte material provë për krimet e kryera nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet në narracionin e ndërtuar në Beograd. Kërkojmë nga kryeministri Kurti që sa më parë të shkarkojë këtë ministre të papërgjegjshme që në vazhdimësi fyen vlerat më të larta të popullit tonë. PDK e merr me shqetësim qëndrimin e ministres sepse ajo përfaqëson Kosovën”, tha Tahiri në një konferencë për shtyp më pas.
Kjo kërkesë publike u bë pas debatit të ashpër që uzhvillua në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri e akuzoi zonjën Gërvalla se ajo e kishte “turpëruar” diplomacinë e Kosovës, sepse ajo po mban qëndrim të njëjtë me Serbinë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se Gjykata Speciale është krijuar për shkak të “fakteve të rreme” nga Beogradi.
Zonja Gërvalla, duke reaguar ndaj këtyre akuzave mohoi të ketë qenë ndonjëherë dëshmitare në Dhomat e Specializuara dhe theksoi se PDK-ja është përgjegjëse për krijimin e Gjykatës Speciale që e bazë në Hagë që po i akuzon ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte në Kosovë.
“Ju jo vetëm që nuk e keni luftuar dhe nuk keni ndërmarrë asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës, por jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë. Ju jeni ata që, në këtë formë, e keni bërë të mundur themelimin e Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli. Ky koalicion qeveritar nuk e ka krijuar Gjykatën Speciale. Atë e keni krijuar ju”, tha ajo.
(r.m.)