Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Nju Jork

Nju Jork, 28 shtator 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, bënë homazhe dhe vendosi kurora lulesh te varret e vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, në Nju Jork, të vrarë nga shteti i Serbisë, 25 vjet më parë.

“Duke u kthyer tek varrezat e dëshmorëve, duke i rikujtuar ata dhe sakrificën e flijimin e tyre, i mirëmbajmë vlerat e luftës që na nevojiten neve më shumë se sa dëshmorëve dhe duke e ditur prej nga vijnë, ne e dimë edhe nga po shkojmë”, ka thënë Kurti pas homazheve.

“Idealet e dëshmorëve duhet të shndërrohen në programe politike e qeveritare, në projekte zhvillimore, në plane të punës e në aksione si të institucioneve ashtu edhe të shoqërisë”, ka shtuar ai.

Vëllezërit Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”.

Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, ata e kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbinë, që po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kishin kaluar paqëllimshëm kufirin, për çka ishin arrestuar nga policia serbe dhe ishin dënuar nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgim. Kur po e përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi ishin dërguar në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku ishin vrarë me plumb pas koke dhe u ishin zhdukur gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan i ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave nga autoritetet e Serbisë kërkohen  veprime konkrete dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për t’i nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim. 

28.9.2024-ZKM-6

28.9.2024-ZKM-3

28.9.2024-ZKM-4

(r.m.)