Në Shqipëri, deputetët e opozitës i djegin karriget e tyre para Kuvendit

Tiranë, 30 shtator 2024 – Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë i nxorrën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe ua vunë zjarrin, në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, dhe, siç u shprehën ata, ndaj “shumë akteve të tjera arbitrare të shumicës ndaj opozitës dhe lirive demokratike në vend”.

Në fillim të seancës, ata e bllokuan foltoren e Kuvendit dhe hodhën sende të forta ndaj kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, teksa ajo njoftoi vakancën e krijuar me ndërprerjen e mandatit të deputetit Salianji, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së, pas dënimit të tij me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë.

Kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Gazmend Bardhi, tha se deputetët e opozitës nuk do t’i djegin mandatet e tyre, siç kishte bërë opozita para dy mandatesh. Ai tha se kjo do të thoshte shmangie nga beteja me kryeministrin Edi Rama.

“Rama e ka djegur parlamentin, ndërsa ne dorëzojmë karriget tona dhe i djegim. Djegien e mandateve e bëri kush e bëri dhe ishte shmangie nga beteja. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment që tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës,” tha ai.

Katër ditë më parë, Apeli la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e zotit Salianji për veprën pebale ”kallëzim i rremë” lidhur me rastin e publikimit të audio-përgjimit, ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Hetimet e prokurorisë kishin zbuluar se biseda ishte “inskenuar”, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj e kishte marrë përsipër një tjetër person.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se për vakancën e krijuar mbi mandatin e zotit Salianji do të njoftohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa salla plenare nuk ka asnjë lidhje me vendimet e gjykatave.

Shumica socialiste i është përmbajtur qëndrimit se nuk komenton vendimet e gjykatave. Përfaqësues të saj i kanë hedhur poshtë akuzat për kapjen e drejtësisë, duke theksuar se çdo i pandehur mban vetë përgjegjësi para akuzave të ngritura nga drejtësia.

Opozita ka thirrur pas një jave përkrahësit e saj në një tubim para kryeministrisë, për të vazhduar protestën e saj.

(Sipas Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë)