Komandanti i KFOR-it e shefi i Ushtrisë së Serbisë biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë

Beograd, 2 tetor 2024 – Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, në një komunikatë për media, njoftoi se në këtë takim është diskutuar për sigurinë në Kosovë.

Sipas komunikatës, Mojsilloviq ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është ende e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”, gjë që, sipas tij, është pasojë e “lëvizjeve të njëanshme dhe provokuese” të autoriteteve të Kosovës.

Mojsilloviqi citohet të ketë thënë se “vendimet e autoriteteve të Kosovës synojnë ndryshimin e strukturës etnike” në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa ka shmangur të flasë për veprimet e grupeve kriminale serbe që kanë çuar në tensionimin e situates në këtë pjesë të Kosovës.

Serbia është zemëruar nga vendimet e muajve të fundit të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet e Kosovës i cilësojnë të jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese institucionet paralele serbe, ndërsa Beogradi i cilëson “veprime kriminale” dhe “përpjekje për përndjekjen e serbëve” nga Kosova mbylljen e instituciioneve të Serbisë Kosovë.

Bashkimi Evropian, si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerik՞s, e ka kritikuar Kosovën për mbylljen e institucioneve paralele serbe në pjesë veriore të vendit, duke i cilësuar si “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

Shuarja e strukturave paralele të Serbisë ishte paraparë edhe me një marrëveshje të arritur mes dy palave në Bruksel, në kuadër të dielogut për normalizim të raporteve midis tyre.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se në takimin e Ulutashit e Mojsilloviqit është diskutuar edhe për  bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Ushtrisë Serbe gjatë mandatit të Ulutashit në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Mojsilloviq thuhet se e ka falënderoi gjeneralin Utulash për “bashkëpunimin korrekt dhe profesional” gjatë mandatit të tij.

Ozkan Ulutash do të përfundojë mandatin e tij njëvjeçar në krye të komandës së KFOR-it javën e ardhshme. Komandanti i ri i KFOR-it do të jetë gjeneralmajori italian, Enrico Barduani, i cili do të marrë detyrën më 11 tetor.

(r.m.)