Kuvendi i Kosovës miraton vendimin për pagesën e energjisë së shpenzuar në veri të vendit

Prishtinë, 6 maj 2021 – Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që të aprovohet kërkesa e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për kompensimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat më veriore  të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq) të banuara më shumicë serbe. Ky rekomandim ka kaluar me 61 vota të deputetëve. Ditë më parë, KOSTT-i ka kërkuar nga Qeveria 11 milionë euro, për të paguar këto humbje.

Kompensimi do bëhet për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit, ka thënë se ndërkohë Qeveria do të punojë që të gjendet një zgjidhje e qëndsrueshme afatgjatë.

“Qeveria e Kosovës e ka marrë seriozisht zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ajo.

Banorët që jetojnë në katër e komunat veriore të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë qysh nga përfundimi i luftës, më 1999, ndonëse furnizohen me energji nga Kosova. Gjatë një viti, në këto komuna shpenzohen rreth 12 milionë euro për energjinë elektrike.

Nënkryetari iPartisë Demokratike të Kpspvës, Bedri Hamza, e ka kritikuar qeverinë dhe shumicën nëKuvend për miratimin e vendimit që pagesa për energjinë që shpenzohet në katër komunat veriore të bëhet nga buxheti i Kosovës.

Hamza ka thënë se ky veprim nuk ka bazë ligjore, sepse në bazë të legjislacionit në fuqi, Kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në menaxhimin e ndërmarrjes publike KOSST.

“Kjo është në kundërshtim me ligjin, nuk ka bazë ligjore, për shkak se KOSTT-i është ndërmarrje publike dhe 100 për qind pronë e Republikës së Kosovës, ku aksionari i ushtron të drejtat e veta përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është shkelje edhe e qeverisjes korporative, sepse kjo ndërmarrje e ka bordin e vet dhe Kuvendi nuk ka drejtë mbi bazën e legjislacionit në fuqi, të ndërhyjë në menaxhimin dhe në afarizmin e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë ai.

Hamza ka theksuar se vendimi i partive politike në pushtet për të paguar 11 milionë euro për energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore i dëmton qytetarët e Kosovës që janë taksapagues të shtetit.

(r.m.)