Bejrut, 4 tetor 2024 – Izraeli kreu një seri sulmesh masive ajrore gjatë natës në periferitë jugore të Bejrutit dhe një tjetër që shkatërroi vendkalimin kryesor kufitar midis Libanit dhe Sirisë.
Vala e re e sulmeve u krye pasi Izraeli paralajmëroi banorët e më shumë se 20 qyteteve dhe fshatrave të Libanit jugor të enjten që të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri, ndërsa ushtria izraelite vazhdon fushatën tokësore kundër Hezbollahut.
Izraeli nisi një sulm tokësor në Liban të martën dhe forcat e tij janë përleshur me militantët e Hezbollahut në një brez të ngushtë përgjatë kufirit. Një seri sulmesh para ndërhyrjes tokësore vrau disa nga pjesëtarët kryesorë të grupit, përfshirë udhëheqësin e tij Hassan Nasrallah.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi mbërriti të premten në Bejrut, ku pritet të diskutojë me zyrtarët libanezë luftën midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Vizita e ministrit Araghchi në Bejrut ndodh tre ditë pasi Irani hodhi të paktën 180 raketa në Izrael, i fundit në një seri sulmesh të përshkallëzuara midis Izraelit dhe Iranit dhe aleatëve të tij arabë, që kërcënojnë ta çojnë Lindjen e Mesme më afër një lufte mbarë-rajonale.
Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut dhe gjatë viteve i ka dërguar grupit armë dhe miliarda dollarë.
Shpërthimet gjatë natës tronditën periferitë jugore të Bejrutit, duke ngritur shtëllunga të mëdha tymi dhe flake në qiell dhe duke tronditur ndërtesat kilometra larg në kryeqytetin libanez. Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë se cili ishte objektivi i tyre dhe nuk pati njoftime të menjëhershme për viktima.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se pati më shumë se 10 sulme ajrore të njëpasnjëshme në zonë, të enjten vonë.
Agjencia raportoi gjithashtu se një sulm ajror izraelit çoi në mbylljen e rrugës pranë vendkalimit kufitar Masnaa, nëpërmjet të cilit dhjetëra mijëra njerëz që ikin nga lufta në Liban kanë kaluar në Siri gjatë dy javëve të fundit.
Pamjet e regjistruara nga agjencia e lajmeve Associated Press, tregojnë dy kratere të mëdhenj në secilën anë të rrugës. Njerëzit që mbanin çanta u panë duke kaluar në këmbë pasi zbritën nga makina që nuk ishin në gjendje të kalonin nëpër rrugën e dëmtuar.
Sulmi ajror që preu vendkalimin më të ngarkuar kufitar midis dy vendeve u krye një ditë pasi një zëdhënës ushtarak izraelit tha se Hezbollahu është përpjekur të transportojë pajisje ushtarake përmes atij vendkalimi.
Hezbollahu besohet të ketë marrë një pjesë të madhe të armatimit të tij nga Irani nëpërmjet Sirisë. Grupi ka një prani në të dyja anët e kufirit, një rajon në të cilin ka luftuar përkrah forcave të presidentit sirian, Bashar al Assad.
Dama Post, një media siriane pro-qeveritare, tha se avionët izraelitë qëlluan me dy raketa, duke dëmtuar rrugën midis vendkalimit Masnaa në Liban dhe vendkalimit sirian të Jdeidet Yabous.
Kjo është hera e parë që ky vendkalim kufitar ndërpritet që nga fillimi i luftës. Autoritetet libaneze regjistroi 256,614 qytetarë sirianë dhe 82,264 qytetarë libanezë që kaluan në territorin sirian nga 23 shtatori, kur Izraeli nisi një bombardim të rëndë në Libanin jugor dhe lindor, deri më 30 shtator.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit jugor të Libanit pothuajse çdo ditë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin militantët vranë 1200 izraelitë dhe morën peng 250 të tjerë.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se kreu një sulm të enjten në Tulkarem, një fortesë e militantëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, në bashkërendim me shërbimin e brendshëm të sigurisë, Shin Bet.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 18 persona u vranë në një sulm izraelit në një kamp refugjatësh atje.
Dhuna përfshiu gjithë territorin e pushtuar nga Izraeli, që kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas në tetor të vitit 2023. Tulkaremi dhe qytete të tjera veriore janë përballur me një shkallë të rëndë dhune.
Izraeli i shpalli luftë Hamasit në Rripin e Gazës në përgjigje të sulmit të 7 tetorit. Më shumë se 41,000 palestinezë janë vrarë që atëherë në territor dhe pak më shumë se gjysma e tyre janë gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë. Gati 2,000 njerëz janë vrarë në Liban gjatë kësaj kohe, shumica prej tyre që nga 23 shtatori, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.