Prishtinë, 6 tetor 2024 – Tre të rinj e kanë humbur jetën në rrugën Prishtinë – Gjlan, pasi vetura me të cilën po udhëtonin ka rënë në liqenin e Badocit.
Mediet në Kosovë raportuan se deri më tash janë identifikuar dy nga viktimat. Ata janë: Ardit Gashi nga Hajvalia e Prishtinës dhe Rifat Pacolli nga Mareci i Prishtinës. Viktima e tretë nuk është identifikuar ende.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka treguar se aksidenti ka ndodhur të shunën vonë, pazkparfa mesnatës.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.
Policia ka nisur hetim për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se vetura e aksidentuar dhe trupat e pajetë të viktimave janë nxjerrë nga liqeni nga ekipet e Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai ka thënë se ekspertët e fushës janë duke hetuar shkakun e aksidentit.
“Mbrëmë pas mesnatës në një vetaksident gjeten vdekjen tre të rinj, prej të cilëve dy tashmë janë identifikuar. Në vend të ngjarjes menjëherë pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës e cila me ndihmën e FSK-së dhe zjarrfikësve ka nxjerrë veturën nga Liqeni i Badocit dhe trupat e të ndjerëve. Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të vozisin në mënyrë të kujdesshme.
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla”, ka shkruar Sveçla.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka bërë të ditur se trupat e pajetë të dy viktimave janë nxjerrë nga uji, ndërsa trupi i pajetë i viktimës së tretë është nxjerrë nga uji bashkë me veturën e mbytur, me litar.
“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë. Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i ka nxjerrë dy persona që e kishin humbur jetën në ujë, ndërsa njëri kishte mbetur në veturën e mbytur e cila është tërhequr me litar, me kamion”, ka treguar Gashi.
(r.m.)