Bruksel, 6 tetor 2024 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruae se javën e ardhme do të fokusohet në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në Bruksel. Ai ka thënë se do të donte që ky takim të realizohej në javët në vazhdim.
“Javën e ardhshme do të fokusohem në përgatitjen e takimit të radhës të të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin do të doja ta organizoja në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën, pas përfundimit të punimeve të Forumit të Sigurisë në Mal të Zi.
“Theksova se BE-ja duhet të korrigjojë prioritetet e saj për të evituar sfidat në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.
Në shtator Lajçak ishte takuar veçmas me Bislimin e Petkoviqin në Bruksel, por nuk kishte arritur t’i bindte të uleshin të tre bashkë për të diskutuar për tema të hapura në kuadër të dialogut.
“Shpreh keqardhje që nuk arrita t’i adresoj çështjet më të rëndësishme në një takim trepalësh. Unë jam në dispozicion të palëve dhe ne do të vazhdojmë në javët në vijim”, kishte shkruar Lajcak në rrjetin social X.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se kkishte refuzuar takimin me Petkoviqin sepse ai kishte kërkuar të diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës.
(r.m.)