Tiranë, 7 maj 2021 – Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE deklaroi të premten se gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të Shqipërisë më 25 prill “partia në pushtet kishte përparësi në zgjedhje për shkak të kontrollit në administratën vendoe dhe keqpërdorimit të burimeve administrative”, gjë që e konstatoi edhe Misioni i OSBE-së.
Misioni amerkan shpërndau një deklaratë, ku theksohet se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbeten një problem dhe akoma më shqetësues është publikimi i të dhënave personale të qytetarëve, ku ishin përfshirë edhe pëlqimet politike të votuesve.
“SHBA përsërit se institucionet e drejtësisë duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit për zgjedhje të lira e të ndershme”, thekson Misioni amerikan në OSBE.
Ai vlerësoi njoftimin se SPAK po heton krimet zgjedhore, duke shtuar se SHBA shpreson që raportin përfundimtar të ODIHR-it Shqipëria ta përdorë për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore.
Në deklaratën e misionit amerikan të OSBE-së vlerësohet angazhimi aktiv i popullit shqiptar në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit si edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për administrimin e një procesi zgjedhor transparent dhe të mirorganizuar në kushtet e pandemisë dhe futjen e teknologjive të reja.
Sistemi i ri elektronik i identifikimit të votuesve lehtësoi rrezikun e votimit të dyfishtë, atij familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve, sipas vazhguesve.
Ata vlerësuan përmirësimet në Kodin Zgjedhor dhe pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm partish në zgjedhje, të cilat tregojnë, sias tyre, angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik.
Të nesërmen e zgjedhjeve të 25 prillit, vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të përgjithshme deklaruan në raportin paraprak se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë dhe mori avantazh nga kjo bazë.
Vëzhguesit thanë se morën shumë pretendime për shitblerje votash. Ata dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit.
“Pati pretendime nga dyja palët për shitblerje të votave gjatë periudhës së fushatës, tha ambasadorja Ursula Gacek, drejtuesja e Misionit të OSBE/ODIHR-it. – Një seri rastesh dhe pretendimesh për këtë po hetohen nga prokuroria shqiptare dhe ODIHR do t’i ndjekë po ashtu”.
Vëzhguesit pohuan se shitblerja e votës vazhdon të mbetet shqetësim kryesor në Shqipëri, se ministrat vazhduan fushatën me burime shtetërore, dënuan ashpër vrasjen e një personi dhe plagosjet në Elbasan.
Publikimi i të dhënave personale të kryeqytetit gjatë fushatës është një shkelje, që duhet hetuar, pohuan ata.
Nëpunësit e administratës, sipas tyre, patën presione dhe stimuj për të mbajtur anën e qeverisë, por pavarësisht problemeve, procesi zgjedhor rezultoi të ishte i suksesshëm në përgjithësi.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)