Shkup, 9 maj 2021 – Kreu i shtetit maqedonas, synon rigjykimin e të dënuarve për dhunën e përgjakshme katër vjet më parë, në Kuvendin e Maqedonisë. Për veprën penale “terrorizëm”, 16 persona ishin dënuar me 211 vjet burgim, por presidenti Stevo Pendarovski, thotë se ata nuk ishin terroristë. Edhe partitë e tjera maqedonase, nuk e kundërshtojnë këtë, por kundër është opozita shqiptare, ndërsa qëndrime të ndryshme ka edhe mes ekspertëve juridikë.
Një deklaratë e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski mbi mundësinë e një rigjykimi për të dënuarit për dhunën në kuvend, më 27 prill të vitit 2017, ka shkaktuar polemika në skenën politike, por edhe ndarje në qëndrime mes ekspertëve juridikë, nëse duhet jo të ketë rigjykim apo rikualifikim të veprës.
Për veprën penale “rrezik terrorist i rendit kushtetues”, janë dënuar 16 persona me 211 vjet burgim, ndërsa në rrjedhë, është procesi gjyqësor për organizatorët e ngjarjes së dhunshme.
Ngjarja kishte ndodhur pas zgjedhjes së kryetarit të ri të kuvendit, Talat Xhaferi, që njëherit shënonte edhe fillimin e ndërrimit të pushtetit në Maqedoninë e Veriut, që ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski.
“Njerëzit që ishin futur në kuvend nuk janë terroristë. Këtë e them pas konsultimeve të gjera, që kam realizuar me ekspertë të ndryshëm”, kishte deklaruar presidenti Pendarovski, në një intervistë televizive, ndërsa të premten, më 7 maj, për këtë ka biseduar edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski. Ky i fundit, paraprakisht ka biseduar edhe me kryeministrin Zoran Zaev, ku mes tjerash është biseduar edhe për 27 prillin.
Lideri i opozitës shqiptare, Ziadin Sela, i cili e kishte pësuar më së rëndi nga dhuna që kishin ushtruar protestuesit ndaj tij pas pushtimit të kuvendit, në katërvjetorin e ngjarjes të dhunshme, kishte paralajmëruar se Zaev, Mickoski dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, po përgatisin “amnistimin e terroristëve” të 27 prillit.
Qebir Avziu, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet në kuvend, nuk mund të kualifikohen ndryshe përveçse si vepër terroriste.
“Sipas të gjitha analizave, provave, argumenteve lidhur me 27 prillin, është më se e qartë se kualifikimi ligjor për veprën penale “rrezikim terrorist i rendit kushtetues” nuk mund të ndryshojë. Mënyra se si ndodhi 27 prilli, tregon se kemi të bëjmë me një ngjarje të planifikuar, të organizuar, ndërsa provat që dolën së fundmi, dëshmojnë se qëllimi i tyre i privimit nga jeta të disa personave që kanë peshë në shoqëri. Kështu që kemi të bëjmë me një akt të pastër terrorist dhe nuk mund të ndryshojë”, thotë Avziu.
Ai vlerëson se nisma e presidentit Stevo Pendarovski, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe përzierje në pavarësinë e gjyqësorit.
“Rolin që ka marr tani presidenti i shtetit, për përsëritjen e procedurës penale apo edhe kualifikimin ligjor të veprës penale, mendoj se nuk është i drejtë, bazuar në autorizimet ktushtetuese që ka presidenti. Ai nuk mund të ndërhyjë në çështjen e gjyqësorit dhe sikur edhe në çdo vend demokratik, dhe këtu presidenti duhet me përkushtim të respektojë vendimin e gjykatës. Ai nuk është i autorizuar të japë ide, mendime, e aq më pak të kërkojë përsëritje të procedurës penale”, thotë profesori Qebir Avziu.
Por, ndryshe nga ai vlerëson njohësi i çështjeve juridike, avokati Zvonko Davidoviq. Sipas tij, natën e 27 prillit kishte vepër penale, por se ajo nuk mund të kualifikohej si vepër terroriste.
“Vepër penale kishte atë mbrëmje të 27 prillit, por konsideroj se në asnjë moment nuk kishte rrezik terrorist të rendit kushtetues. Prokuroria në asnjë moment nuk arriti të dëshmojë qëllimin kryesor të grupit që kishte hyrë në kuvend, nuk arriti të dëshmojë nëse qëllimi tyre ishte pushtimi i kuvendit, që paraqet rrezikim të rendit kushtetues. Kryetari i ri i kuvendit që ishte zgjedhur, Talat Xhaferi dhe ish-kryetar i kuvendit, Trajko Veljanovski, për asnjë moment nuk ishin rrezikuar. Kishte tre grupe të qytetarëve që ishin futur në kuvend dhe asnjëra nuk kishin lidhje mes veti që po ashtu flet se nuk kishte organizim terrorist”, thotë njohësi i çështjeve juridike, avokati Zvonko Davidoviq.
Ai konsideron se dënimet e shqiptuara për pjesëmarrësit në dhunën në kuvend, nuk janë reale, pasi ka persona që për ngjarjen e njëjtë janë amnistuar, sikur që ka të tjerë të cilët janë dënuar për veprën penale “dhunë” apo “tentim vrasje”, si në rastin e deputetit, Ziadin Sela.
“Gjyqësori këtu është i politizuar, është i kapur, ka sjellje klienteliste. Shumë njerëz u gjykuan me dënime shumë të larta, morën shumë vite burg. Për veprën e njëjtë të kryer të njëjtën ditë, në të njëjtin vend, janë shqiptuar dënime të ndryshme, disa janë liruar nga ndjekja, disa janë dënuar për pengim të personit të autorizuar, disa për dhunë, disa për prishje të rendit dhe qetësisë. Por, gjithashtu më duhet të them se këta u dënuan për terrorizëm, ende pa u dënuar organizatorët e aktit, ende nuk dihet se kush ishin dhe çfarë deshën”, thotë Davidoviq.
Si organizatorë të ngjarjeve të dhunshme në kuvend, dyshohen ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-kryetari i kuvendit, Trajko Veljanovski si dhe ministra e zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, por procesi gjyqësor kundër tyre ende nuk ka një epilog konkret edhe katër vjet pas këtyre ngjarjeve të dhunshme. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, është i pakapshëm për organet e ndjekjes, pas arratisjes në Hungari, ku i është dhënë azil politik.
(Isuf Kadriu, REL)