Shkup, 9 tetor 2024 – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi të mërkurën atë që njihet si “balancues”, një instrument për përfaqësimin e drejtë sipas përkatësisë etnike të kandidatëve për nëpunës në administratën shtetërore.
Gjykata para dy javësh e vuri në shqyrtim çështjen, ndërsa debate të shumta u nxitën në opinionin publik të vendit.
Gjykata konstaton se “deklarimi i përkatësisë etnike në konkurset për vende pune është i jashtëligjshëm dhe diskriminues dhe se mekanizmi i njohur si ‘balancues’ shkel parimin e ekspertizës dhe aftësisë së kandidatit duke cënuar edhe të drejtën e garantuar kushtetuese për punë dhe zgjedhjen e lirë të punësimit”.
Sipas kreut të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, “motivi për shfuqizimin nuk është fare politik edhe atij as nuk i intereson se çfarë komentojnë partitë politike”.
Në një konferencë shtypi ai u bëri thirrje partive që t’i respektojnë vendimet e gjykatës dhe “të mos i politizojnë apo t’i përdorin për qëllime etnike”, siç u shpreh.
“Eshtë absurde të thuhet se Gjykata Kushtetuese dëshiron destabilizimin e vendit. Kjo është një gjë e padëgjuar dhe manipulim klasik”, tha zoti Kostadinovski në përgjigje të akuzave që i drejtohen atij nga partitë e opozitës.
Shfuqizimi i “balancuesit” ishte paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore nga VMRO-DPMNE-ja, e cila i fitoi zgjedhjet e 8 majit dhe formoi qeverinë.
Nga data 18 shtator Gjykata urdhëroi ndalimin e zbatimit të këtij instrumenti, ndërkohë që vendimi nuk do të ketë pasoja për personat të cilët janë punësuar prej vitesh në administratë në bazë të këtij mekanizmi.
Nisma për “balancuesin” u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga administrata e kaluar e Komisionit Shtetëror për Luftën Kundër Korrupsionit. Por gjykata e mbaji atë në sirtarë për vite të tëra.
Gjykata kushtetuese ka nëntë anëtarë, prej tyre gjashtë maqedonas, dy shqiptarë dhe një turk. Anëtarët e komuniteve jomaqedonase nuk e kanë miratuar vendimin për shfuqizimin, ndërsa një nga ta nuk ka marrë pjesë në seancë.
Aleanca për Shqiptarët (ASh) e krahut të Ziadin Selës kërkon që gjykata të vendosë me parimin e “Badenterit” apo me “shumicë të dyfishtë”; me shumicë të kualifikuar për ato ligje të cilat Parlamenti i ka miratuar po në këtë mënyrë.
Opozita shqiptare e drejtuar nga Bashkimi Demorkatik për Integrim thotë se vendimet e gjykatës bien ndesh me Marrëveshjen e Ohrit; se këto çështje janë zgjidhur në të kaluarën dhe “çdo përpjekje për kthim prapa në të kaluarën do të ketë pasoja dhe pakënaqësi të qytetarëve”.
BDI thekson se “ky është fillimi i shkatërrimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe i themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”.
ASh-ja, ndërkohë vendimin e së mërkurës e shikon si një konfirmim “të politikave anti-shqiptare të qeverisë jolegjitime” dhe pozitës “vasale” të partive të koalicionit VLEN në të. Ndërkohë, partitë shqiptare në pushtet thonë se po bëjnë gati një ligj të ri për përfaqësimin e drejtë dhe se brenda një të ardhmeje të afërt do ta dorëzojnë në parlament.
Përfaqësimi i drejtë i pjesëtarëve të komuniteteve buron nga Marrëveshja e Ohrit që i dha fund konfliktit mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001 dhe solli paqen në ish-republikën jugosllave.
Numri i papërfillshëm deri atëherë i shqiptarëve në administratën publike dhe agjencitë shtetërore u shumëfishua në vitet në vijim dhe tani vlerësohet të ketë arritur në rreth njëzet përqind.
Gjykata Kushtetuese, po ashtu pritet brenda pak javësh ta shqyrtojë kushtetutshmrinë e Ligjit për Gjuhët. Ky ligj ka avancuar përdorimin e gjuhës shqipe deri në nivelin e gjuhës së dytë zyrtare në shumë rajone të Maqedonisë së Veriut.
Por, partitë e pushtetit të kaluar të cilat e miratuan atë e dërguan ligjin në Komisionin e Venecies me shpresë se do të merrnin miratim, ndërsa nga atje këshilluan se ligji, ose dygjuhësia është vështirë të zbatohet sidomos në gjykata dhe procedurat gjyqësore.
Procedurat gjyqësore nuk mbahen në gjuhën shqipe, përveç mundësisë që pala e akuzuar të flasë në gjuhën shqipe, nëse kërkon dhe as uniformat e policisë dhe ushtrisë nuk kanë shenja edhe në gjuhën shqipe, siç parashikon ligji.
(Zëri i Amerikës)