Erdogan e përuron Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, shqiptarët i quan “vëllezër e motra”

Tiranë, 10 tetor 2024 – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka mbajtur fjalën kryesore në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e cila është financuar nga Turqia.

Erdogan ka thënë se kjo xhami, e cila do t’u shërbejë 10.000 besimtarëve muslimanë, do të zë vend në mesin e veprave madhështore. Ai ka thënë se xhamia do t’i mahnisë të gjithë ata që do ta vizitojnë.

Presidenti turk theksoi se Xhamia e Namazgjasë, e cila është xhamia më e madhe në Ballkan, është “simbol i vëllazërisë” mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Më lejoni t’ju falenderoj me ndjenjat e mia më të thella e më të përzemërta. Sot jam shumë entuziast dhe i lumtur që jam këtu, së bashku me ju. Për këtë arsye dua të falenderoj gjithsecilin nga ju për emocionin që më dhuruat. Personalisht jam shumë më fat që sot ndodhem në këtë ambient të shenjtë dhe i lutem Allahut xh.sh., që Xhamia e Namazgjasë, e cila është xhamia më e madhe në Ballkan, themelet e së cilës i hodhëm në vitin 2019, do të sjellë dobi për të gjithë muslimanët në Ballkan”, ka thënë ai. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Inaugurimi-i-Xhamise-se-Namazgjase-Tirane.jpg

“Xhamia e Namazgjasë, xhamia më e madhe në Ballkan, do të zë vendin e saj në kujtimet tona më të thella, duke kaluar edhe 6 shekuj. Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë e cila në brendësinë e saj mbart dhe transporton vlera që nga tradita për në të ardhmen dhe vlera të tjera nga lashtësia e deri te teknologjia më e re e cila është përdorur gjatë ndërtimit”, ka thënë Erdogan.

Ai ka thënë se besimtarët muslimanë kanë detyrë t’u “dalin zot” xhamive dhe fesë islame, të cilë e quajti “fe të paqes”.

“Xhamitë nuk janë vendet ku thirret ezani e për t’u adhuruar, janë për të thirrur mbarë njerëzimin në mirësi dhe urdhërimin e Allahut dhe i bashkon myslimanët në kupolën e vetme. Kjo është feja jonë e madhe që, në një farë mënyre, na e imponon detyrën që, jo vetëm t’i ndërtojmë xhamitë, por t’u dalim zot e t’i mbrojmë. Nuk duhet të shkëputemi në asnjë moment nga feja islame, nga feja e paqes, dhe t’ua lëmë bosh sheshin atyre grupeve që ushqejnë interesat e tyre për qëllimet e veta personale”, ka thënë ai.

Presidenti turk e ka vlerësuar mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ndërtimin e kësaj xhamie.

“Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen dhe falënderimet e mia më të thella për kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, i cili gjatë procesit të ndërtimit të Xhamisë Namazgjasë, e cila u ndërtua me kontributet e investimet e Kryesisë së Komunitetit Fetar të Turqisë. Njëkohësisht, dua të falënderoj të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar sado pak në realizimin e kësaj vepre madhështore”, është shprehur Erdogan.

Presidenti turk e ka shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Prioriteti ynë është të thelojmë më tej raportet tona me Shqipërinë”, ka theksuar ai.

Erdogan ka thënë se Turqia do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve, të cilët ai ka ka quajtur “vëllezër e motra”.

“Shpresoj që për sa kohë që do vazhdojmë më këtë raport miqësor, do t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë”, është shprehur ai.

Ndërsa Xhaminë e Namazgjasë e ka cilësuar si vend të shenjtë “ku reflektohen vlerat shpirtërore”.

“Të dashur motra dhe vëllezër shqiptar, në mendimin islam, koncepti xhami qëndron në qendër të jetës. Njëkohësisht xhamitë janë vende të shenjta ku reflektohen vlerat shpirtërore që burojnë nga zemra dhe lavdërohen nga shoqëria dhe nxit bashkëpunimin dhe solidaritetin duke mbajtur të gjallë unitetin e kësaj xhamie”, ka theksuar ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Recep-Tayyip-Erdogan-ne-inaugurimin-e-Xhamise-se-Namazgjase-Tirane.jpg

Kryeministri Edi Rama ka thënë se hapja e kësaj xhamie është një moment i shumëpritur i komunitetit musliman shqiptar.

“Është një moment kaq i shumëpritur nga Komuniteti Musliman Shqiptar, i shtyrë ndër vite për shumë arsye. Kjo faltore, që buron nga një besim universal, është tanimë trashëgimia e një populli të tërë, një objekt i munguar kulti në këtë vend ku tempujt mishërojnë tolerancë fetare, siç e pat thënë Papa Françesku, në vëllazëri fetare. Sot, pas 10 vjetësh, xhamia hyn në sofrën e kësaj vëllazërie mirëfilli shqiptare”, ka thënë Rama.

Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë, Rama: Kryemyftiu Bilal Teqja do të jetë  kujdestari i këtij tempulli! | Panorama ONLINE | lajm i fundit, lajmet e  fundit, lajme

Pak më herët, në konferencën e përbashkët për medie, Kryeministri Rama ka thënë se inaugurimi i kësaj xhamie, siç është shprehur, “do jetë një gëzim i veçantë për besimtarët muslimanë e gjithashtu edhe për presidentin Erdogan”.

Pastaj Rama i është drejtuar z. Erdogan.

“Unë jam i bindur se për Ju do jetë një gëzim i posaçëm, sepse Ju, jo vetëm ishit zëri i komunitetit besimtar musliman shqiptar përpara komunitetit musliman turk, duke garantuar mbledhjen e mjeteve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, por keni qenë në çdo rast shumë i vëmendshëm dhe këmbëngulës për të parë këtë ditë sot”, ka thënë Rama.

“Jam i bindur se ju në Turqi keni xhami shumë të bukura, por kjo xhami që do ta shihni sot do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne. Pa diskutim që kjo, në radhë të parë është merita juaj. Kur jemi takuar për herë të parë, kur unë isha kryeministër i sapozgjedhur në Shqipëri, ju ma dhatë projektin e vëllazërisë shqiptaro-turke. Unë kisha vërejtje për projektin dhe ju më thatë: ‘projektin po ta lë ty, si do duket dhe xhaminë dua ta hap me ty”. Pas pak unë do vij t’ju shoqëroj me shumë kënaqësi dhe shumë i nderuar, sepse të gjitha ikin, por shtëpitë e besimit mbeten, kur edhe emrat tanë, përveç tuajit, harrohen”, është shprehur kryeministri Rama.

(r.m.)