Jerusalem, 8 maj 2021 – Besimtarët palestinezë u përplasën me policinë izraelite të premten vonë në kompleksin e xhamisë “Al-Aksa”, njërin ndër vendet e shenjta më të rëndësishme për muslimanët dhe hebrenjtë, në një përshkallëzim të dhunës disa-javore në Jerusalem që ka bërë jehonë në të gjithë rajonin.
Shërbimi i urgjencës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se 53 vetë u plagosën në përleshjet me policinë në Jerusalem, nga të cilët 23 u shtruan në spital. U njoftua se shumica u plagosën në fytyrë dhe në sy nga plumbat e veshur me gomë dhe copëzat e shashkave.
Izraeli tha se gjashtë oficerë policie u plagosën.
Më herët të premten, forcat izraelite qëlluan dhe vranë dy palestinezë dhe plagosën një të tretë, pasi ata hapën zjarr në një bazë që i përkiste forcës paraushtarake të Policisë së Kufirit të Izraelit në Bregun Perëndimor të okupuar. Ky është konfrontimi i fundit në serine e konfrontimeve vdekjeprurëse gjatë muajit të shenjtë të kalendarit islam,Ramazanit.
Javët efundjt janë rritur tnsionet në Jeruzalemin Lindor, i cili pretendohet nga Izraeli dhe nga palestinezët. Në fillim të muajit të Ramazanit, Izraeli e bllokoi një vend popullor ku palestinezët tradicionalisht shoqërohen pas iftarit. Palestinezët përdyjavë rresht u përplasën me policinë, duke kundërshtuar kufizimet.
Kërcënimet për dëbim
Por, ditët e fundit, përplasjet rifilluan për shkak të kërcënimit të izraelit me dëbim të dhjetëra palestinezëve në lagjen Sheikh Jarrah, në Jeruzalemin lindor, të cilët janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me kolonët izraelitë që po përpiqen të marrin prona në këtë lagje.
Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” për tensionet e rritura dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që të punojnë për çtensionimin e situatës. Uashingtoni zyrtar shprehu shqetësim edhe për kërcënimetme me dëbim.
“Është thelbësore të shmangni hapat e njëanshëm që do të përkeqësonin tensionet ose do të na largonin më shumë nga paqja. Dhe kjo do të përfshinte dëbimet, aktivitetin e vendbanimeve dhe shkatërrimet e shtëpive”, u tha gazetarëve në Uashington zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jalina Porter.
Kompleksi i xhamisë “Al-Aksa” është vendi i tretë më i shenjtë përbesimtarët muslimanë. Por, ai është vendi më i shenjtë edhe për hebrenjtë, të cilët i referohen vendit si “Mali i Tempullit” dhe e respektojnë atë si vendi ku ndodheshin tempujt biblikë. Vendndodhja ka qenë prej kohësh një pikë e ndezur për dhunën mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe ishte epiqendra e intifadës apo kryengritjes palestineze të vitit 2000.
Policë të shumtë izraelitë u dislokuan ndërsa adhuruesit muslimanë po mbanin lutjet e mbrëmjes në vendndodhje. Ishte e paqartë se çfarë e shkaktoi dhunën, por në videot që qarkullonin në internet shiheshin besimtarët që po gjuanin me karrige, me këpucë dhe me gurë në drejtim të policëve, të cilët po qëllonin me shashka tymuese dhe me plumba gome, për t’i shpërndarë palestinezët e revoltuara. Përleshje më të vogla pati edhe në komplekse të tjera në Jerusalem.
Policia izraelite tha se protestuesit hodhën gurë, koktej “Molotov” dhe mjete të tjera të forts ndaj tyre.Gjashtë oficerëtë plagosur kërkuan trajtim mjekësor.
“Ne do të reagojmë fuqishëm ndaj të gjitha akteve të dhunshme, trazirave dhe sulmeve ndaj forcave tona”, thuhet në një deklaratë.
Rreth 70. 000 besimtarë kanë marrë pjesë në lutjet e së premtes në “Al-Aksa” tha organizata islamike që e mbikëqyr objektin. Pas lutjes, mijëra besimtarë kanë protestuar duke tundur flamujt e gjelbër të organizatës islamike “Hamas” dhe duke brohoritur parulla pro kësaj organizate.
Jordania fqinje, e cila shërben si kujdestare e vendeve të shenjta myslimane në Jerusalem, e kishte paralajmëruar Izraelin për hapat “provokues”, ndërsa Irani, armiku kryesor i Izraelit, e inkurajoi dhunën.
Gjatë sulmit të premten në mëngjes, policia izraelite tha se tre sulmues qëlluan me armë mbi bazën pranë qytetit verior Jenin, në Bregun Perëndimor. Policia Kufitare dhe një ushtar izraelit kthyen zjarr, duke vrarë dy prej burrave dhe duke plagosur të tretin, i cili u evakuua në një spital.
(Zëri i Amerikës)