Nga Keze Kozeta Zylo
Sa herë lexoj, dëgjoj apo shikoj direkt në ekrane përdhosje flamujsh të çdo Kombi qofshin, trishtohem pamasë . Ndërsa, kur shoh që Flamurin tim Kombëtar e varin kokë poshtë nëpër stadiume që shikohen nga miliona tifozë nëpër botë, ndër mend më vijnë vargjet mallkim:
O Flamuri rema rema kush të prek i plastë zemra!
Këto ditë në Pragë, në stadiumin kombëtar ku u luajt ndeshja për Ligën e Kombeve: Shqipëri-Çeki në njerën prej portave kryesore ishin varur Flamuj shqiptarë me kokë poshtë, ndërsa ngjitur me ta ishte harta e Kosovës me flamurin e Serbisë qe ushtroi genocid mbi Kombin tim.
Flamuri është emblema e unitetit tonë, fuqia jonë, vullneti ynë, gjaku ynë.
Është e çuditshme se si janë ngjallur hordhitë raciste nëpër Europë, ndërsa për serbët nuk do të çuditem asnjëherë, sepse populli im i ka hequr në kurriz urrejtjet dhe dhunën e tyre duke pasur plane ogurzeza të shfarrosjes. Ajo që më çudit është mosmbrojtja!
Disa tifozë çekë filluan thirrjet raciste: “Kosova është Serbi”!
Shpresoj që UEFA t’i dënojë dhunuesit dhe provokatorët nëpër stadiume, duke zbatuar rregullat dhe ligjin ndërkombëtar!
Me siguri albanologu i shquar Jan Urban Jarnik (25 maj 1848, Potštejn – 12 janar 1923, Pragë) profesor çek i gjuhëve romane, i fokusuar kryesisht në studimet krahasuese në gjuhësinë shqiptare dhe rumune do të jetë rrotulluar tek varri për disa bashkatdhetarë të tij që demonstruan ate urrejtje fashiste në stadium rreth Flamurit shqiptar.
Ai e njihte mirë kulturën shqiptare dhe mbajti leksion si profesor në Universitet dhe kishte korrespondenca me personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare si Naim Frashërin Jeronim de Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Mitko etj.
Sidoqoftë çdokush, qofte armik, racist apo i huaj mund të harrojë Flamurin e tij apo timin, por unë nuk do ta harroj kurrë; Flamuri im do të valëvitet gjithmonë lart. Të përkohshme janë dashuritë e shumëllojshme, por dashuria për Flamurin Kombëtar nuk do të përfundojë kurrë, deri në frymën e fundit. Flamuri im glorifikon lavdinë e luftëtarëve të tij. Sa të mundem s’do të lejoj kënd ta përdhos atë, ndryshe ka mallkimin e popullit që thotë:
O Flamuri rema rema kush të prek i plastë zemra!
13 tetor, 2024
Staten Island, New York