Prishtinë, 13 tetor 2024 – Drejtori i Institutit “Octopus” Agim Musliu, në një postim në platformën X, ka shkruar se deputeti i Kuvendit të Serbisë, Goran Rakiq, është rrahur brutalisht natën mes të shtunës e të dielës, në pjesën veriore të Mitroicës.
Musliu ka shkruar se ish-kryetari i partisë serbe që kontrollohet nga Beogradi, Rakiq, është rrahur nga persona të familjes së tij politike të lidhur me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me udhëheqësin e grupit paramilitar serb që e ka kryer sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radojçiq. Sipas tij, Rakiq ka marrë trajtim mjekësor fshehtas, për ta mbajtur rastin larg vëmendjes publike.
“Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është rrahur mbrëmë në Mitrovicë, në pjesën veriore me shumicë serbe. Edhe pse është rrahur nga shokët e tij, kriminelët dhe terroristët e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, ai është trajtuar fshehtas. Pa dyshim, ky rast do të paraqitej si një sulm nga shqiptarët, duke përhapur dezinformata kudo”, ka shkruar Musliu.
Televizioni publik i Kosovës, RTK, bëri të ditur se një ekip i tij është përpjekur gjatë ditës të flasë me Rakiqin, por nuk ka arritur ta kontaktojë.
RTK, duke iu referuar burimeve të paemërtuara, raportoi se sulmi ndaj Rakiqit është kryer pranë shtëpisë së tij, në rrugën “Sutjeska”, në Mitrovicën Veriore.
Ekipi i RTK-së ka shkuar edhe në spital, në pjesën veriore të qytetit, por atje askush nuk ka dashur të thorë nëse Rakiq ka marrë trajtim mjekësor gjatë natës së kaluar.
Rastin nuk ka mundur ta konfirmojë as Policia e Kosovës, pasi ai nuk është raportuar.
“Nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë. Së paku ne nuk kemi ankesa”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, për Telegrafin.
Por, Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka thënë se nga miqtë e tij ai është informuar se Rakiq është sulmuar nga anëtarët e organizatës ilegale “Brigada e Veriut”. Sipas tij, sulmi lidhet me borxhe të mëdha financiare që Rakiq ia ka udhëheqësit të kësaj organizate, Milan Radoiçiq.
“Miqtë e mi në Mitrovica më kanë njoftuar mbrëmë se llumi Goran Rakiq është rrahur nga kolegët e tij të organizatës terroriste “Brigada e Veriut”. Borxhet e tij financiare ndaj terroristit Radoiçiq janë të mëdha! Sa për mua, le ta shfarosin njëri-tjetrin deri në fund!”, ka shkruar Bogdanoviq.
Mediet publike në Serbi nuk kanë raportuar lidhur me rastin, ndërsa disa medie të pavarura kanë përcjellë raportime të medieve të Kosovës.
(r.m.)