Berlin, 14 tetor 2024 – Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të hënën se duhet një dinamikë e re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bëri thirrje të dyja vendeve të mos lejojnë që e kaluara të pengojë rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë.
Ai i bëri këto komente në fillim të takimit të Procesit të Berlinit, që këtë vit po shënon dhjetë vjetorin e themelimit.
“Unë mbetem i bindur se kjo e ardhme është në Bashkimin Evropian dhe ka vetëm një rrugë që të çon atje, zbatimi besnik dhe i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet për t’u siguruar që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha kancelari Scholz.
Ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i formësuar nga konfliktet e së kaluarës dhe është koha për ta kapërcyer atë të kaluar dhe për t’i kthyer sytë drejt së ardhmes.
“Deklarata për marrëdhënie të mira fqinjësore e propozuar nga vetë rajoni flet për drejtimin e duhur. Është një angazhim i qartë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe me mjete paqësore. Kjo është ajo që e përfaqëson procesi i Berlinit dhe mbështet punën së bashku dhe gjetjen e një kompromisi në dobi të të gjithëve”, tha kancelari Scholz.
Kancelari gjerman tha se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e tij ndërsa theksoi rëndësinë e zhbllokimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA.
“Kjo marrëveshje nuk është asgjë më pak se një përparim për bashkëpunimin rajonal dhe zhbllokimi i CEFTA-s mundëson që tani të aktivizohen edhe disa marrëveshje të tjera. Për shembull, për punën ndërkufitare, lejet dhe rregullat e tregtisë elektronike në mbarë rajonin. Kjo do të ndihmojë në thellimin edhe më tej të tregut të përbashkët rajonal. Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin në këtë sukses duke vendosur që javën e kaluar të hapë një pikë kufitare për mallrat serbe”, tha kancelari Scholz.
Autoritetet në Prishtinë thanë javën e kaluar se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani.
Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.
Ky proces është një nismë e hedhur nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
(Zëri i Amerikës)