Opozita debaton në Kuvend për ushqimin në FSK, LVV-ja e bojkoton seancën

Prishtinë, 14 tetor 2024 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës debatuan të hënën për çështjen e furnizimit me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një seancë të bojkotuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ata e akuzuan pushtetin se ka lejuar “krizë në furnizimin” e ushtarëve të FSK-së me ushqim dhe kërkuan që Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ta zgjidhin çështjen e ushqimit, ndërsa bënë thirrje që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të japë dorëheqje.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë, megjithëse e pranoi se tenderi për furnizimin e saj me ushqim është anuluar.

Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se “po e lë ushtrinë pa bukë” në seancën e thirrur nga deputetët e opozitës.

“Sot po trajtojmë situatën me logjistikën, shërbimet. Merreni me mend, jemi mbledhur gjashtë vjet pasi u krijua ushtria, dhe jemi kthyer po flasim për logjistikën. Ushtari i Kosovës nuk ka shkuar atje [në ushtri] për ushqimin e tij, për ato kushte, për pagën. Ai është në gjendje me dhanë racionin e vet ditor për secilin qytetar. Ai ka shkuar për të shërbyer deri në frymën e fundit të jetës së vet”, tha Haradinaj.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se situata aktuale “është tepër shqetësuese”.

“Trajtimi i ushtarëve tanë me neglizhencë është një shkelje e përgjegjësisë së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është sinjal alarmant që kërkon një zgjidhje të shpejtë”, tha ai.

Deputetë të tjerë përmendën edhe probleme të tjera me të cilat thanë se përballet FSK-ja, sikurse është edhe paga e vogël për ushtarë, procesi i gradimit dhe largimi i ushtarëve për shkak të pagave të ulëta.

Opozita pritet që, në fund të debatit, të paraqesë edhe një rezolutë për këtë çështje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, tha se çështje e shujtave të FSK-së po e rrezikon shëndetin e qytetarëve, por edhe operacionalitetin e FSK-së.

“Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së është një sinjal i qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate. Tani e kanë kuptuar [Qeveria] se ashtu siç nuk ishte i aplikueshëm koncepti i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, edhe ideja për ngritjen e kapaciteteve për vetëqëndrueshmëri në ushqim në forcë është një ide që do të komprometojë forcën”, tha ai.

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Ministria e Mbrojtjes është përgjegjëse që të sigurojë mirëqenien e ushtarëve dhe të tregojë kujdesin dhe përkushtimin më të lartë për të siguruar kushtet e përshtatshme për operimin e mbarëvajtjen e të gjitha proceseve për ushtarët.

“Ministria e Mbrojtjes duhet të sigurojë që proceset e prokurimit për FSK-në të jenë në përputhje me parimet dhe standardet më të larta të transparencës, konkurrencës së drejtë dhe standardet e NATO-s”, tha ai.

Quni tha se sipas standardeve të vendeve të NATO-s, është “absolutisht e papranueshme që një procedurë sikurse ajo e ushqimit për ushtrinë të shpërfaqë shkelje elementare, ku procedurat e tilla fillimisht si sekrete e më pas si procedurë emergjente janë shpallur në kundërshtim të plotë me legjislacionin”.

Ai tha se sipas Ligjit për prokurim publik, vetëm në raste të caktuara mund të ketë kontrata emergjente, duke thënë se Ministria e Mbrojtjes nuk ka arritur të planifikojë përfundimin e kontratës për ushqim në mënyrë të duhur dhe me operatorin e mëparshëm.

Në fund të seancës, deputeti Berisha e lexoi një propozim rezolutë në emër të deputetëve të pranishëm në seancë duke kërkuar që Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ta zgjidhë çështjen e ushqimit dhe që zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, përfshirë ministrin Maqedonci të japin dorëheqje.

Por, në mungesë të korumit, nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, e ndërpreu seancën dhe paralajmëroi thirrjen e një seance të re për këtë çështje.

Ministria e Mbrojtjes: Vetëqëndrueshmëria, opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të ushqimit

Teksa deputetët debatuan dhe hodhën akuza ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kjo e fundit reagoi përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar se ministri Maqedonci nuk ka refuzuar të nënshkruajë kontratë me operatorin e ri ekonomik për ushqim për FSK-në.

Ministria e Mbrojtjes tha tenderi për furnizim me ushqim për FSK-në është anuluar për shkak se ka kontest mes grupit të operatorëve ekonomikë që janë shpallur fitues.

Ministria tha se koncepti i vetqëndrueshmërisë është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemit të ushqimit.

“Mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi”, u tha në reagim.

Ministria tha se aktualisht në çdo kazermë janë të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, por po ashtu më 10 tetor ka hapur konkursin për pranimin e stafit profesional të kuzhinerëve.

“Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematik do t’i përkasë së kaluarës. Pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor”, u tha në reagim.

Në javët e fundit, mediat lokale kanë publikuar shpesh fotografi të shujtave të ushtarëve, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për ushqimin që u servohet.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe se në to shërbehet llojllojshmëri shujtash, ndërsa raportimet në media i ka quajtur propagandë.

LVV-ja nuk merr pjesë në seancat e thirrura nga opozita

Pak para nisjes së seancës të hënën, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, njoftoi se nuk do të merrte pjesë në këtë seancë, e as në nisma të tjera të partive opozitare.

Gjatë një konference për media, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, akuzoi opozitën se po e “shantazhon” grupin parlamentar të tyre, duke kushtëzuar pjesëmarrjen në seanca plenare dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me shkarkimin e Mimoza Kusari-Lilës nga posti i kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“S’pranojmë kushtëzime të tilla”, tha ai.

“Si rrjedhojë, ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seance apo iniciative që vjen nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe shmangin këtë formë imponimi, që gjithsesi nuk kalon”, shtoi ai.

Ai foli edhe për seancën e jashtëzakonshme të thirrur lidhur me mungesën e ushqimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas Dugollit, për këtë gjë, ka raportuar në Komisionin për çështje të sigurisë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai tha se LVV-ja përkrahu kërkesën e opozitës për një raportim të tillë.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, sipas tij, është pjesë e një “seri dezinformatash që synojnë tash e disa ditë që të keqinformojnë qytetarët”.

Ndërkaq, deputeti tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci, akuzoi opozitën se po bën “propagandë” dhe po “dezinformon” sa i përket çështjes së shujtave të ushtarëve të FSK-së.

Bajqinovci tha se kompanisë që ka pasur kontratën paraprake për furnizimin me ushqim i ka skaduar kontrata dhe shtoi se kazermat e FSK-së po furnizohen me ushqim cilësor, ndërkaq po ashtu shpejt do të zgjidhet edhe çështja e stafit.

Për shkak të çështjes së shujtave ushqimore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, dhe ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe ka kërkuar raport të detajuar për situatën.

Osmani po ashtu ka kërkuar që të miratohet një propozim shtatë-pikësh, për një program shtetëror për mbështetjen shumëdimensionale të FSK-së, e cila, sipas Presidencës, “ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj”.

Në planin e presidentes Osmani, parashihet pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri, pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesa e mëditjeve gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit, sigurimi shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak, përmirësimi i cilësisë së ushqimit, sigurimi i banimit të përballueshëm, dhe fondi kreditues për ushtarët.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësi të Kosovës.

Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për të ndryshuar mandatin e FSK-së.

Përgjegjësitë e reja kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë.

Deri në fund të tij, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.

(Radio Evropa e Lirë)