Nobelin për Ekonomi e fitojnë tre ekonomistë që hulumtuan pabarazinë globale

Stokholm, 14 tetor 2024 – Çmimi Nobel për Ekonomi u është ndarë tre ekonomistëve të cilët e kryen një hulumtim për të mësuar pse disa vende janë të pasura dhe të tjerat të varfra. Ata kanë dokumentuar se shoqëritë e lira dhe hapura kanë më shumë mundësi të begatojnë.

Ekonomistët Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson “kanë dëshmuar rëndësinë e institucioneve shoqërore për prosperitetin e një vendi”, tha të hënën komitetit i Nobelit i Akademisë Suedeze të Shkencave në një njoftim në Stokholm.

Acemoglu dhe Johnson punojnë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Robinson punon në Universitetin e Çikagos.

Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin për Shkencat Ekonomike, tha se hulumtimi i tyre mundëson “të kuptohet shumë më thellësisht rrënja e shkaktarëve pse vendet dështojnë apo kanë sukses”.

Acemoglu, 57 vjeç, tha se është i mahnitur nga ky çmim.

“Kurrë nuk pret diçka të tillë”, tha ai.

Acemoglu tha se hulumtimi i nderuar me këtë çmim thekson vlerën e institucioneve demokratike.

“Mendoj se puna që e kemi bërë ne i bën mirë demokracisë”, tha ai.

Në punën e tyre, fituesit hulumtuan, për shembull, qytetin Nogales, i cili shtrihet në të dyja anët e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Megjithëse ndajnë të njëjtën gjeografi, klimë dhe kulturë, jeta e njerëzve në të dyja anët e kufirit dallon shumë. Në Nogales, Arizonë, në veri, banorët gëzojnë gjithmonë shëndet të mirë e jetojnë gjatë, dhe shumica e fëmijëve diplomojnë nga shkolla e mesme. Në jug, në Nogales të Meksikës, banorët janë shumë më të varfër, ndërsa atje ka edhe shumë korrupsion e krim të organizuar.

Ekonomistët gjetën se dallimi është se sistemi amerikan e mbron të drejtën e pronës dhe u jep qytetarëve mundësi të përfshihen në vendimmarrje në qeverinë e tyre.

Çmimi për ekonomi nuk është një prej pesë çmimeve të para që ishin ndarë më 1895, kur u krijua ndarja e Çmimit Nobel nga shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel.

Çmimi Nobel për Ekonomi ka nisur që të ndahet nga viti 1969.

(Radio Evropa e Lirë)