Prishtinë, 15 tetor 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Sadik Duraku, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe më 17 prill të këtij viti, është liruar nga paraburgimi.
Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës, ishte arrestuar në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, Batrovci, si i dyshuar për krime lufte të kryera në vitin 1999.
“Lirohet z. Sadik Duraku nga paraburgimi në Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Ministria tha se do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër rastet e arrestimit të shtetasve të Kosovës dhe do ta njoftojë bashkësinë ndërkombëtare për, siç thuhet, “veprimet arbitrare dhe destruktive të Serbisë, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Sipas autoriteteve të Serbisë, Duraku dyshohej se “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.
Familja Duraku kishte thënë se Sadiku kishte shkuar në Britani para se të niste lufta në Kosovë. Ndërsa avokati i tij kishte thënë se Sadiku kishte nuk ishte kthyer në Kosovë deri në vitin 2004.
Në Sedrbi gjenden në paraburgim edhe tre shtetas të tjerë të Kosovës të dyshuar për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa.
Ditë më parë në Serbi u ndalua edhe M.I. shtetas i Kosovës, po nën shyshimin për krime lufte.
(r.m.)