Zëvendës-kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, takohet në Moskë me shefin e spiunazhit të Rusisë

Moskë, 16 tetor 2024 – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar të mërkurën në Moskë me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin.

Qeveria e Serbisë njoftoi se Vulin dhe Naryshkin kanë diskutuar për përmirësimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe atyre të Rusisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Serbisë, Naryshkin ka thënë se “përpjekjet e zëvendëskryeministrit Vullin, i cili, duke e kryer funksionet e ministrit të Mbrojtjes, minuistrit të Punëve të Brendshme dhe t٥ drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka ndikuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes shërbimeve serbe dhe ruse”.

Ndërsa Vulin e ka falënderuar shefin rus të spiunazhit për “partneritetin e besueshëm dhe gjithmonë të sigurt, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë”.

Përveç takimit me Naryshkinin, Vulin pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë rusë dhe do të marrë pjesë në një pritje të Ambasadës së Serbisë në 80-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aleksandar Vulin konsiderohet si njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqësinë e Serbisë. Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, ku ka deklaruar se “Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë”.

Në janar të këtij viti, Vulin është dekoruar nga presidenti i Rusisë dhe nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.

Aleksandar Vulin është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për lidhjet e tij me Rusinë dhe për përfshirje në korrupsion gjatë kohës që ka qenë në krye të BIA-s. Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në nëntor të vitit 2023, pas presionit të vazhdueshëm të Perëndimit.

Pavarërisht se gjendet në listën e zezë të  Departamentit amerikan të Shtetit, Vulin është emëruar Nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në fillim të muajit maj.

Serbia dhe Rusia kultivojnë tradicionalisht marrëdhënie të afërta. Serbia është një nga vendet e rralla në Evropë që refuzon t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

(r.m.)