Prishtinë, 16 tetor 2024 – Të martën, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), u promovua libri “Bota letrare” i autorit Muhamet Hamiti.
Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë i ASHAK e cilësoi kët libër si “një studim substancial filozofik-teorik, analizues-hermeneutik, krahasues e vlerësues e mbi të gjitha insistues në shpjegimin e ligjësive specifike të botës letrare, gjithnjë të kundruara në ndeshje me botët e jashtme, qofshin ideore, ideologjike-politike apo identitare”.
Në referencën e seksionit thuhet se kjo vepër studimore “ruan konceptin horacian ‘dulce et utile’ ngase kur shkruan për fenomenet, autorët e veprat e mëdha të kanonit perëndimor, gjithnjë reflekton për ndikimin e tyre në botën specifike letrare shqipe”.
Akademik Sabri Hamiti, në fjalën hyrëse të përurimit, tha se “Bota letrare” e Muhamet Hamitit “është një libër joserik në kolonën e botimeve autoriale të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Ky libër përbëhet nga interpretime dhe studime të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe, edhe në vështrimin krahasimtar. Këtu i gjejmë Homerin, Danten, Petrarkën, Shekspirin, Tolstoin, Eliotin, Xhojsin dhe autorë bashkëkohorë si shqiptarë, si botërorë. Do të thosha që lufta dhe paqja në republikën letrare me të cilën merret Muhamet Hamiti s’çon kërkund tjetër pos te kanoni perëndimor ku ai, me dashuri të madhe, e inauguron edhe letërsinë shqipe, dhe atë bashkëkohore”, tha Hamiti.
Nysret Krasniqi, recenzent i librit, tha se ky libër “mund të cilësohet edhe si libër i përvojës së tij studimore, pra i një distilimi specifik të dijes filozofike letrare në raport me fenomenet letrare, kulturore e ideologjike”.
Krasniqi tha se në këtë libër Muhamet Hamiti trajton edhe kryqëzimet e letërsisë me tema filozofike, si: letërsia dhe identiteti, letërsia dhe kombi, letërsia dhe besimi, letërsia dhe religjioni, etj.
“Çfarë bëhet kur letërsia kombëtare, duke e ruajtur traditën, përballet me formimin e shtetit, siç është Kosova, ku domosdo jetësohet parimi Kombi është Shteti? Debati këtu zhvillohet në teatrin e teorive klasike për kombin me bazë mitin nacional (Smithi) dhe për kombin si sferë imagjinare (Benedikt Andersoni), gjithnjë duke ruajtur konceptin për udhën autonome të evolucionit letrar”, u shpreh Krasniqi duke folur për trajtesën “Letërsia dhe kombi”.
Si përfundim, Krasniqi tha se “kjo është një vepër e dobishme për njohjen, vetënjohjen dhe dialogjikën vetëkulturore, një vepër e cila e refuzon ishullimin dhe mendimin radikal për fenomenin e letërsisë”.
Autori i librit, Muhamet Hamiti, tha se formimi i tij si lexues kritik dhe si studijues i letërsisë ka nisur nga studimet e gjuhësisë dhe të letërsisë të botuara në Prishtinë.
“Ndonëse kam bërë studime për letërsi angleze dhe botërore edhe gjetiu, unë e shoh veten nxënës të Shkollës Letrare të Prishtinës”, tha ai.
“Përveç prej studimeve të mia anglistike në Prishtinë, dijet i kisha edhe nga literatura në shqip, përkthyer dhe botuar në Prishtinë, të librave, të autorëve dhe të autoriteteve letrare klasike, por edhe të kohës së Mbretërisë së Teorisë dhe të Kritikës perëndimore. Natyrisht edhe prej teksteve origjinale të kritikëve e të studiuesve tanë të asaj kohe, të viteve 70’-80’ të shekullit të kaluar, kohë e rilidhjes me traditën e shpërnjohur për arsye ideologjike, të perëndizimit të studimeve letrare shqipe në Kosovë”, shpjegoi ai.
Hamiti tha se në këtë libër i ka përmbledhur leximet e tij kritike të letërsisë së përgjithshme dhe letërsisë shqipe, të cilat i cilësoi “pjesë të botës letrare” të tij.
“Ndonëse i specializuar për letërsi angleze dhe profesor në universitet, interesat dhe kënaqësia letrare më kanë shpënë edhe përtej saj, te letërsia e përgjithshme dhe fenomene kulturore kufitare letrare, por më kanë kthyer në shtëpi, në letërsinë shqipe, të cilën mund ta lexoj nga një afërsi e larguar, për ta parë më mirë”, ka shkruar Hamiti në parathënien e librit të tij “Besimi letrar”.
Hamiti vë në dyshim qëndrueshmërinë e studimeve të deritashme të letërsisë në kohët moderne.
“Studimi i letërsisë është shumë i vjetër, ndër më të vjetrit në historinë perëndimore, me përjashtim të retorikës. Antologjitë e kritikës dhe të teorisë letrare nisin me Platonin dhe Aristotelin. Statusin e disiplinës, kritika letrare akademike e ka marrë para nja 100 vitesh. Formimi profesional ndonjëherë bëhet edhe deformim profesional, siç e kanë dëshmuar teprimet e ndonjë shkolle, lëvizjeje a metode letrare, të shumta në shekullin e kaluar, shumësia e tyre fenomen i atij shekulli. Kah fundi i tij, studimet kulturore (disi amorfe, por me primesë angazhimi) përlanë gjithëçka, duke i zhvendosur letërsinë dhe studimet për të nga qendra e rëndesës”, shkruan ai.
Prandaj, ai e shtron nevojën e përshtatjes së studimeve letrare me zhvillimin e përgjithshëm shoqëror e kulturor, si edhe me zhvillimin e teknologjisë.
“Duket se do të ketë nevojë për risituim të studimeve letrare dhe të vetë letërsisë në një fushë të transformuar kulturore në kohën tonë, të zhvillimeve marramendëse teknologjike, sidomos të inteligjencës artificiale, por edhe të ndryshimeve të rendit ekonomik që e ka bërë kapitalin kulturor të letërsisë më pak të vlefshëm në terma të tregut. Do të ketë nevojë ndoshta për riorganizim të studimeve letrare, të cilat, sikur edhe dijet humanitare në përgjithësi, të paktën me sa thonë studimet e vonshme në botën anglishtfolëse, janë në krizë. Duhet të ketë rivendosje të fokusit në letërsi, sido që të përkufizohet kjo; po ashtu edhe në letërsi kombëtare”, theksoi Hamiti.
(Ramadan Muçolli)