Nju Jork, 20 tetor 2024 – Në restorantin ‘Honey Badger’ në Bruklin të Nju Jorkut, shqiptaro-amerikania Fjolla Sheholli dhe bashkëshorti i saj, sipërmarrësi amerikan Junayd Juman ofrojnë një meny, me ushqime të egra dhe prodhime organike nga fermerët lokalë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli, çifti synon ndërgjegjësimin e klientëve mbi rëndësinë e ushqimeve natyrale dhe kujdesin për mjedisin.
Në Nju Jork ka mijëra restorante, disa prej të cilave nga më të njohurit në botë. Në këtë sektor, të arrish të vlerësohesh nga kritika nuk është e lehtë.
‘Honey Badger’ dallon mes kësaj morie restorantesh për menynë e veçantë që ofron.
Për gati 10 vite, ky restorant në lagjen Bruklin shërben produkte të egra – mish, perime dhe fruta krejtësisht natyrale – të kultivuara nga fermerë të vegjël lokalë përgjatë vijës verilindore të Shteteve të Bashkuara, nga malet e Meinit e deri tek ato të Pensilvanisë.
Restoranti drejtohet nga sipërmarrësja Fjolla Sheholli, që erdhi nga Kosova në Shtetet e Bashkuara para 21 vitesh dhe nga bashkëshorti i saj, sipërmarrësi amerikan me origjinë nga Trinidadi, Junayd Juman.
Zonja Sheholli shpjegon për Zërin e Amerikës se pasioni i saj për ushqimet e egra lidhet me fëmijërinë e saj, por edhe situatën e vështirë të familjeve në Kosovë në vitet ‘90.
“Pasi janë larguar të gjithë nga puna, kemi qenë të detyruar që ose të largohemi nga vendi, ose të gjindemi në forma të ndryshme. Sfidat që kemi pasur na kanë detyruar të prodhojmë gjithçka nga zeroja. Të kultivojmë djathin, gjalpin dhe mishin që të kishim furnizime gjatë gjithë vitit. Gjithmonë dilnim për gjueti, peshkim, kemi mbledhur kërpudha dhe çdo gjë nga mali”, thotë zonja Sheholli.
Edhe bashkëshorti i zonjës Sheholli thotë se konsumimi i ushqimeve të kultivuara në natyrë është traditë në familjen e tij.
“Në Trinidad ne hamë ushqime të egra. Kemi ferma, por kemi edhe xhunglën dhe produktet e saj. Pra, ushqimet e egra janë pjesë e kulturës tonë. Disa nga ushqimet më të mira në botë janë peshqit e egër, krahasuar me peshqit e kultivuar në fermë. Pastaj, mineralet që mund të gjesh në produktet e egra nuk krahasohen me produktet e tjera”, thotë zoti Juman.
Në restorantin ‘Honey Badger’ klientët nuk mund të porosisin një ushqim të caktuar, por mund të shijojnë 10 deri 18 gatime të ndryshme që ofron menyja sezonale, të frymëzuara nga dieta e fiseve indigjene amerikane dhe të kombinuara me kuzhinën moderne botërore.
“Shumë nga ushqimet tona kanë të bëjnë me mirëqenien. Jo vetëm shija, e kripur, apo e ëmbël, por edhe ndjenja që përjeton pasi mbaron së ngrëni. Një hamburger në aeroport është gjëja më e keqe që mund t’i bëni vetes. Mënyra se si trajtohet kafsha nga fermeri ka rëndësi. Mishi nga kafshët në fabrika është mish skllavërie”, thotë zoti Juman.
Zonja Sheholli thotë se përbërësit në gatimet e saj dikur përdoreshin si ilaç nga fiset indigjene amerikane, por sot, shton ajo, ato vështirë se mund të gjenden në treg.
“Indiano amerikanët kanë qenë gjithmonë shumë të lidhur me natyrën. Çdo gjë është lidhur me formën e hënës. Është shumë e vërtetë që kur hëna është e plotë gjërat ndodhin shumë më ndryshe. Kjo reflektohet edhe në llojshmërinë e produkteve të natyrës. E gjithë kultura e banorëve indigjenë amerikanë bazohet tek Hëna. Faktikisht, ushqimet që ata kanë përdorur kanë përbërës shërues. Për shembull e merr këtë, sepse ndidhesh kështu. Një produkt tjetër është i mirë për diçka tjetër”, thotë zonja Sheholli.
‘Honey Badger’ furnizohet nga tre peshkatarë, pesë gjuetarë dhe 27 fermere që mbledhin produkte mali. Në këtë restorant rëndësi i kushtohet edhe pamjes së pjatës.
“Çdo pjatë duhet të jetë e shijshme dhe e bukur. Të ketë një histori të mrekullueshme pas vetes me të cilën mund të lidhesh. Shumë nga gatimet tona lidhen me fëmijërinë dhe kujtimet tona mbi magjinë e ushqimit. Mendoj se kuzhinierët janë magjistarët e fundit. Ne marrin përbërësit e egër nga natyra dhe e transformojmë në diçka të bukur që ju ta hani”, thotë zoti Juman.
Zonja Sheholli thotë se ‘Honey Badger’ nuk është vetëm një biznes, por edhe një mision për ndërgjegjësimin e njerëzve mbi rëndësinë e të ushqyerit me produkte natyrale.
“Fermerët kanë marrë një rrugë shumë ndryshe nga vitet 80. Ajo që konsumojmë sot nuk e dimë se nga vjen. Sa më thellë që jam futur (në studime) e kam kuptuar që edhe sëmundjet dhe çdo gjë që po përballemi vjen nga konsumimi i ushqimeve që nuk e dimë se nga vijnë”, thotë zonja Sheholli.
Zonja Sheholli thotë se praktikat e pashëndetshme dhe bujqësia industriale po përkeqësojnë ngrohjen globale dhe po kërcënojnë planetin duke helmuar tokën dhe ajrin.
(Zëri i Amerikës)