Shukri Buja udhëtoi për në Hagë, me ftesë të Gjykatës Speciale

Prishtinë, 20 tetor 2024 – Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja. ka njoftuar të dielën se ka udhëtuar për në Hagë, me ftesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ai ka theksuar se ky udhëtim është bërë “pa dëshirën e tij” dhe me “ftesë të detyruar”.

“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë” ka shkruar ai.

Buja nuk ka treguar se në çfarë cilësie është thirrur nga Gjykata Speciale, por UÇK-në e ka cilësuar “të shenjtë”.

“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”, ka shkruar ai.

Kjo nuk është hera e parë që Buja paraqitet para Gjykatës Speciale në Hagë. Në korrik të vitit 2019 ai ishte intervistuar nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar si i dyshuar.

Shukri Buja përmendet në aktakuzën e ndryshuar më 2022 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-200.

Aktakuza pretendon se Shukri Buja ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Në aktakuzë thuhet se Buja, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës, “mori pjesë së bashku me Fatmir Limajn dhe me shumë pjesëtarë të UÇK-së në arrestimin dhe mbajtjen e njerëzve në Llapushnik” mes prillit dhe korrikut të vitit 1998.

Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

(r.m.)

Comment

*