Bruksel, 22 tetr 2024 – Derisa pjesa më e madhe e botës pritet të përqendrohet në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe rezultatet e tyre, Bashkimi Evropian do të jetë i zënë me krejt diçka tjetër: seancat dëgjimore për 26 komisionarët, të cilat janë caktuar nga data 4 deri më 12 nëntor.
Secili kandidat, për tri orë, do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në një komitet që lidhet me portofolat e tyre.
Herën e fundit, më 2019, tre kandidatë nuk kanë kaluar. Diçka e ngjashme mund të ndodhë përsëri dhe të çojë në seanca shtesë dëgjimore, gjatë nëntorit.
Ajo që pritet të kalojë, është shefja e pritshme e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo që do të jetë interesante në seancën e saj të 12 nëntorit, është të shihet se nëse dhe sa do ta zbusë retorikën e saj të ashpër ndaj Kinës dhe Rusisë, për t’iu përshtatur postit të ri, ku diplomacia dhe gjetja e konsensusit për çështjet e politikës së jashtme janë shumë të rëndësishme.
Gjykuar nga letra e misionit të Von der Leyenit drejtuar Kallasit, pjesa më e madhe e pyetjeve do të jetë për Ukrainën.
Në letrën e misionit – e cila është një dokument publik që përshkruan atë që presidentja pret nga një komisionar gjatë pesë vjetëve të ardhshëm – thuhet: “Ne do të punojmë ngushtë së bashku, për të siguruar se Evropa qëndron me Ukrainën për aq kohë sa i duhet – ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht – dhe mbështet integritetin e saj territorial”.
A mund të ofrojë Kallas diçka të re këtu?
Kievi pritet t’i hapë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm dhe mbështetja financiare e BE-së për Ukrainën, për vitin 2025, është siguruar.
Deri më tani, BE-ja ka ndërmarrë 14 runde sanksionesh kundër Rusisë, por, sipas diplomatëve në Bruksel, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që vendet anëtare të binden për të miratuar masa shtesë kundër Moskës.
Ndaj, do të jetë interesante të shihet nëse Kallas do të marrë një qëndrim më të ashpër – për shembull duke parandaluar anashkalimin e sanksioneve me shtimin e kompanive të vendeve të treta apo edhe vende të treta në listën e zezë të BE-së.
BE-ja ka mekanizma për ta bërë këtë, por listat, deri më tani, kanë mbetur bosh.
Nëse miratohet – dhe çështja është kur dhe jo nëse – Kallas ka të ngjarë të paraqesë një regjim të ri sanksionesh, që do t’i ketë në shënjestër kërcënimet hibride ndaj BE-së.
Një regjim i ri që merret me veprimet subversive ruse ndaj bllokut, është miratuar së voni, por Kallas pritet të shtyjë përpara një mekanizëm global.
Shumë eurodeputetë sigurisht se do ta nxisin Kallasin që ta përfshijë korrupsionin si një vepër të sanksionueshme në “Aktin Magnitsky” të BE-së, i cili përcakton sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut në Rusi.
Kjo është diçka që është shmangur nga shefat e mëparshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe ata që e mbështesin një masë të tillë, shpresojnë se ajo do të nënkuptojë shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në BE, për të paguar rindërtimin e Ukrainës.
Të dyja këto lëvizje kërkojnë unanimitet dhe do të jetë detyrë e Kallasit për ta realizuar atë.
Si Von der Leyen, ashtu edhe Parlamenti Evropian do të duan që Kallas të përpiqet të marrë më shumë vendime të politikës së jashtme të BE-së, me votim nga shumica.
Ndoshta aspekti më kurioz i letrës së misionit të Von der Leyenit është se ajo nuk përmend Ballkanin Perëndimor apo Kinën. Por, eurodeputetët me siguri se do ta pyesin atë për të dyja.
Ka gjasa që ajo të njoftojë në seancë dëgjimore se udhëtimi i saj i parë si komisionare do të jetë në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket këtij rajoni, ajo me siguri se do të pyetet se si synon ta ringjallë dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Paraardhësit e saj, Federica Mogherini dhe Josep Borrell, nuk arritën shumë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
A do të ketë Kallas një qasje më praktike me takime të rregullta me udhëheqësit e dy vendeve, apo do t’ia delegojë bisedimet ndonjë përfaqësuesi të posaçëm, siç ka bërë Borrell?!
BE-ja ka vendosur së voni tarifa për automjetet elektrike kineze dhe Kallas ka të ngjarë të pyetet nëse ajo ka sektorë të tjerë në planet e saj. Ajo, gjithashtu, do të jetë nën presion për të treguar nëse do ta përndjekë Kinën, po qe se ajo vazhdon ta ndihmojë luftën e Kremlinit në Ukrainë.
Pasi që seanca dëgjimore zhvillohet një javë pas zgjedhjeve në SHBA, pritet të ketë pyetje edhe për marrëdhëniet e ardhshme me Uashingtonin, sidomos nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Kallas, sipas njerëzve që e njohin, i mbështet fuqishëm marrëdhëniet transatlantike, por ajo do të pyetet për nevojën që BE-ja të zhvillojë një lloj “autonomie strategjike” – një koncept ky që shumë në pjesën lindore të bllokut e shohin si një plan të Francës për të zvogëluar ndikimin e SHBA-së dhe për të ngritur të vetin.
Një nga detyrat e saj kryesore, së bashku me portofolin e sapokrijuar të mbrojtjes – që i është dhënë ish-kryeministrit lituanez, Andrius Kubilius – do të jetë hartimi i një ‘letre të bardhë’ për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, në 100 ditët e para të mandatit të saj.
Si gjithmonë, pyetja prej një milion dollarësh është se sa para duhet të jepen për të ndërtuar një industri evropiane të mbrojtjes – plus, nëse BE-ja do të punojë me kontraktorë të mbrojtjes jashtë BE-së?!
Dhe pastaj, natyrisht, është kriza në Lindjen e Mesme. Me shtetet anëtare të ndara sa i përket Izraelit, është e qartë se BE-ja nuk ka shumë dëshirë që ta formësojë situatën tani.
Por, sapo të qetësohet pluhuri, ka thirrje për një plan të fortë. Siç thuhet në letrën e misionit: “Ju do të çoni përpara një strategji gjithëpërfshirëse të BE-së për Lindjen e Mesme, me plane pas luftës në Gazë, duke u fokusuar në promovimin e të gjithë hapave të nevojshëm për zgjidhjen me dy shtete dhe forcimin e partneriteteve me aktorët kryesorë rajonalë”.