Ministri i Brendshëm e arsyeton përdorimin e forcës gjatë arrestimit të Metës

Tiranë, 22 tetor 2024 – Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, e ka quajtur “të pashmangshëm” arrestimin me forcë të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta. Sipas tij, policët që morën pjesë në aksionin pë zbatimin e vendimit të SPAK-ut u përballën me rezistencën e z. Meta.

“Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor. Ata, fatkeqësisht, u përballën me një subjekt që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi”, ka shkruar ministry Hoxha në Facebook.

Sipas tij, policia nuk do të kishte përdorur forcën sikur z. Meta të mos kundërshtonte ekzekutimin e vendit të gjykatës.

“Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici”, ka shtuar Hoxha.

Edhe Policia e Shtetit e ka justifikuar përdorimin e dhunës me rastin e arrestimit të z. Meta. Sipas njoftimit të policisë, z. Meta kishte refuzuar të arrestohej dhe i kishte ofenduar zyrtarët policorë, prandaj “ai është nxjerrë nga automjeti dhe është shoqëruar forcërisht”.

Arrestimi i ish-Presidentit Meta, sidomos mënyra e arrestimit, nxiti debate të forta në Shqipëri, përfshirë edhe kritikat e ashpra të opozitës.

Partia e Lirisë tha se arrestimi i z. Meta “ishte një rrëmbim banditeskt”. Kjo parti publikoi edhe pamje që dëshmojnë se ndaj z. Meta është ushtruar dhunë gjatë arrestimit. Ajo a theksuar se policia duhet të përgjigjet para ligjit për dhunën e ushtruar ndaj z. Meta.

Reagim të ashpër ndaj arrestimit, sidomos ndaj përdorimit të dhunës nga policia, ka bërë edhe Partia Demokratike. Kryetari Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj partie e kanë cilësuar arrestimin e z. Meta si “akt politik” dhe si hakmarrje të kryeministrit Edi Rama.

Avokati Genc Gjokutaj ka deklaruar se masa e arrestit me burg ndaj z. Meta është e pajustifikueshme. Ai kujtoi se z. Meta ka qenë disa herë në SPAK dhe gjithnjë i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

(r.m.)