$35,000 dollarë u mblodhën nga Fondacioni “Dom Simon Filipaj” në New York – Në 19 vite të organizimit të tij janë mbledhur gjysmë milion dollar për bamirësi dhe arsim në Komunën e Ulqinit.
Nga Keze Kozeta Zylo
Fondacioni “Dom Simon Filipaj” organizoi darkë bamirësie në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”.
Fondacioni “Dom Simon Filipaj” gjithmonë është një shpresë dhe rreze dielli veçanërisht për njerëzit në nevojë që gjenden në vështirësi e pamundësi në Ulqin.
I kam ndjekur vazhdimisht aktivitetet bamirëse që ka zhvilluar ky Fondacion ndër vite dhe vërtetë bëhet frymëzues për Diasporën dhe Kombin.
Pjesëmarrësit grupe grupe u ulën pranë tavolinave të tyre dhe përshëndeteshin me njeri tjetrin. Ata i ishin bashkuar një Misioni të madh, bamirësisë. Emri i madh i Nënë Terezës i bamirëses më të madhe në botë nuk ka se si të mos frymëzojë brezat, shoqatat e veçanërisht Fondacionin “Dom Simon Filipaj” që ka arritur shumën ndër vite deri në 500 mijë dollar që nga themelimi i saj. Çfarë krenarie, Çfarë motivimi!
Fondacion mban emrin gati të një shenjti, emrin e nderit në ballë, Dom Simon Filipaj. Dom Simon Filipaj ka qenë meshtar i shquar shqiptar (1925-1999), i cili lindi në Kllezën (Anë të Malit). Ai ia kushtoi gjithç jetën fesë, atdhetarizmit dhe ishte përkthyesi i Biblës në gjuhën shqipe.
Për kontributin e dhënë për Kishën Katolike ndër shqiptarë, në vitin 1988 Selia e Shenjtë i dha Filipajt titullin e lartë “Imzot” (Monsinjor), ndërsa në vitin 1992 u shpall “Prelat Nderi” nga Papa Gjon Pali II.
Në vitin 2004, është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë.
Mbrëmja ishte e mirë organizuar ashtu siç dinë të bëjnë anëtarët e saj nën udhëheqjen e kryesisë me zotërinjtë e nderuar Nikollë Gazivoda, Pal Çotaj, Zef Gjokaj dhe Shefki Sefa me kryetar atdhetarin e shquar z.Tom Shkreli.
Darkën e bekoi udhëheqësi shpirtëror famullitari i ndritur Dom Pjetër Popaj. Ai ka 19 vjet që merr pjesë në këtë Fondacion plot sukses ndaj dhe kryetari i Fondacionit me të drejtë e kujtoi në fjalën e tij si:
Më kujtohet, kur u formua Fondacioni, mua personalisht Dom Pjetri m’u drejtua dhe po i parafrazoj:
“Nëse doni të keni sukses, mos bani dallime, mos harroni se varfëria nuk dallon dhe është e pa mëshirë. Pra Dom Pjetri për 19 vite me radhë çdoherë gjeti kohë të marrë pjesë në organizimet tona”.
Fondacioni “Dom Simon Filipaj” 19 vjet plot bamirësi, plot sukses çka më kujton thënien brilante të Pope John Paul II, një nga popët më të dashur në botë i cili ka thënë:
The measure of your success will be the measure of your generosity.
Që perkthehet: “Masa e suksesit tuaj do të jetë masa e bujarisë suaj”.
Në këtë tubim përshëndeti aktvisti i dalluar, veprimtari i shquar Gjon Gjokaj në emër të aktivistëve të Fondit Humanitar Trieshi në SHBA. Ai vlerësoi pamasë Fondacionin, organizimet, ndihmat humanitare dhe shumë punë të tjera që vazhdojnë të jenë pa ndërprerje në shërbim të Kombit.
Zoti Tom Shkreli kryetar i Fondacionit “Dom Simon Filipaj” në fjalën e tij përshëndetëse tha:
Kam nderin të qëndroj para jush që t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen tuaj, në emrin e nevojtarëve tanë në vendlindje, në emrin e udhëheqësisë së Fondacionit “Dom Simon Filipaj” dhe në emrin tim personal, po ashtu edhe në emrin e të gjithë kontribuesëve që vite me radhë e përkrahën misionin e Fondacionit me kontributet e veta bujare. Mirë se erdhët e mirë se takohemi për të ndihmuar dhe nderuar më nevojtarët tanë në vendlindje. Ju falënderojmë për kontributet tuaja sonte, por edhe kontributet gjatë viteve me radhë. Prania juaj na gëzon neve, por ma tepër nderon dhe gëzon njerëzit tanë që kanë nevojë edhe për një kafshatë goje, gëzon prinëdrit e atyre studentëve që sadopak ua lehtësojmë rrugëtimin e tyre në Universitete të ndryshme. Të nderuar të pranishem, kontributet tuaja shkojnë dhe shpenzohen 100% për nevojtarët tanë të vendlindjes gjegjësisht të komunës së Ulqinit dhe ju premtoj që do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë, në disa raste specifike edhe dalim me kontribute edhe jashtë komunës së Ulqinit ashtu si paraqitet nevoja dhe kërkesat sidomos prej Organizatave si motra këtu në Diasporë.
Nevojtarët tanë, emnin e gjithëcilit prej jush nuk do ta dijnë as nuk do u takojnë kurrë, por jam ma se i sigurtë që nga zemra do ju falënderojnë dhe bekojnë për bujarinë tuaj, për kujdesin tuaj.
Nuk e kemi praktikuar që të shpallim publikisht emrat e nevojëtarëve, por nëse dikush ka dëshirë jo vetëm për lista, por edhe të marri pjesë në mbledhjet tona është i lirë se asgjë nuk është sekret në mesin tonë, thjesht neve punojmë që kontributet tuaja të shpërndahen në mënyrë sa më të drejtë pa dallime feje, gjinie, moshe apo orientimi politik, kuptohet për shqiptartë e Komunës së Ulqinit.
Kemi filluar të praktikojmë më shumë se në të kaluarën ndihmë për studentë, arsyeja ështe se nevojtarët kanë filluar të pakësohen kurse nevojat për arsimimin e lartë të shtohen dhe përparësi ju japim atyre studentëve me nota të mira dhe atyre që studiojnë në Fakultete dhe Universitete shqiptare. Mbasi që ndryshimet demografike në komunën e Ulqinit janë të dukshme dhe si shihet puna tani për tani edhe të paevitueshme e kemi paraparë si të domosdoshme që mostjetër me ndihma për arsimimin e brezave të rinj sadopak të kontribojmë në ruajtjen e atyre viseve ashtu sikur u njohën dikur.
Kemi Isa Adaj nga fshati Zogaj – Ulqini anëtarë të Fondacionit “Dom Simon Filipaj” dhe ai na lajmëron për familjet dhe personat më në nevojë. Isai ështe në dijeni sepse ështe edhe drejtor i Sektorit Social të komunës, Ju lusim të gjithëve nëse paraqitet ndonjë kerkesë apo ndonjë rast urgjent na lajmëroni dhe ne do përpiqemi të ndihmojmë normalisht në bazë të parimeve dhe kritereve të fondacionit.
Nuk dua t’ju lodh me fjalë të shumta se fjalët e shumta janë fukarallëk, por desha të përshendesja persona të pranishëm. Fillimisht dua të përshëndes Famullitarin e Kishës tonë “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjeter Popaj që pa ndihmën e tij Fondacioni “Dom Simon Filipaj” nuk do e kishte pasë suksesin që pat, mos harroni se për 19 vitet e ekzistimit janë kontribuar rreth një gjysëmmilioni dollar në bamirësi dhe projekte të ndryshme në rrethin e Komunës se Ulqinit.
Përshëndesim kryetarin e Fondit Trieshia ktivistin e mirënjohur Gjon Gjokaj, djali i Kolë Gjon Gjokaj mësuesit të mirënjohur ndër mësuesit e parë të Malësisë edhe vëllau i patriotit të flaktë Tom Gjokaj.
Pjesëmarrësit që erdhën në darkën e bamirësisë organizuar nga Fondacioni “Dom Simon Filipaj” mblodhën 35 mijë dollar, një punë e paqtë, hyjnore dhe tejet atdhetare.
Jam e sigurtë se organizime të tjera po me kaq vlera i mirëpresin në të ardhmen, ngase tashmë kanë dhënë prova duke u bërë frymëzim në Diasporë dhe në Atdhe.
24 tetor, 2024
New York