Beograd, 15 tetor 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, deklaroi të premten në Beograd se Bashkimi Evropian do ta mbështesë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Evropa mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Serbisë. Në kohë konfliktesh, luftërash dhe trazirash, të qenit anëtar i Bashkimit Evropian është një premtim paqeje e begatie dhe është një premtim që ne mund ta realizojmë së bashku”, tha ajo.
Zonja von der Leyen tha se Beogradi zyrtar po hedh hapa drejt integrimeve evropiane dhe e vlerësoi faktin se Vuçiq i priti këtë javë disa udhëheqës të vendeve evropiane, në vend që të shkonte në Rusi për të marrë pjesë në takimin e grupit ekonomik BRICS.
“Ne jemi bashkim demokratik i vendeve që anëtarësohen qëllimisht, vullnetarisht dhe është populli serb ai që do të vendosë për të ardhmen e tij dhe mendoj se veprimet, përparimi dhe projektet që po bëjmë së bashku flasin vetë se ne po punojmë për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha ajo, duke pohuar paralajmërimet se Serbia mund të hapë së shpejti një grup kapitujsh të negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërsa Vuçiq tha se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian.
“Derisa të jem Presidednt i Serbisë objektivat e politikës sonë të jashtme dhe të brendshme nuk do t’I ndryshojmë. Kjo do të thotë se rrugëtimi ynë evropian është me rëndësi thelbësore dhe se ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe shpresoj se do të ketë rezultate”, tha ai.
Sipas tij, ky synim nuk ka ndryshuar, pavarësisht nga dallimet për çështjen e Kosovës.
“Nuk është e lehtë të jesh në këpucët tona për shkak të Kosovës dhe gjithçkaje tjetër, por ne do të bëjmë çmos për të përshpejtuar rrugën evropiane”, tha ai.
Vuçiq tha se në takim me zonjën voin der Leyen ka theksuar nevojën për kompromis me Kosovën.
“Biseduam për Kosovën dhe unë, për dallim prej disa të tjerëve, nuk dua ta shfrytëzoj këtë rast për ta bartur fajin tek kushdo tjetër dhe as ta lodh presidenten von der Leyen në publik për ato që i kam folur. Ndërsa hollësisht dhe deri në thelb ia kam shpalosur qëndrimin e Serbisë dhe hollësisht e deri në thelb kam folur për domosdoshmërinë e kompromisit, bisedimeve dhe të ardhmes së mbarë rajonit”, u shpreh Vuçiq.
Megjithatë, Vuçiq përsëriti se Serbia do të mbajë marrëdhënie të mira edhe me vendet e tjera me të cilat tradicionalisht ka marrëdhënie të mira.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia, aleate tradicionale e Rusisë, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve së Perëndimit për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Vuçiq ka thënë shumë herë se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nuk është në interesin e Serbisë.
Zonja Von der Leyen gjendet në Serbi në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të afirmimit të objektivit të BE-së për zgjerim në këtë rajon.
Të shtunën, ajo do të arrijë në Prishtinë.
(r.m.)