Prishtinë, 26 tetor 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha të shtunën në Prishtinë se vendimi i qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia dhe përparimi i saj në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, mund të hapin rrugën për heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vuri asaj pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të vendit.
“Pas kësaj mendoj që duhet të punojmë në hapat e mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat ndaj Kosovës. Këto zhvillime gjithashtu do të ndihmojnë në bindjen e vendeve anëtare, sepse siç e dini, të gjitha shtetet duhet të pajtohen për një vendim të tillë”, tha ajo në një konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se është koha e fundit që të hiqen masat ndëshkuese.
“Përveç se të padrejta këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pa baraspeshë, të pabarabartë dhe pa besueshmëri”, tha ajo.
Zonja Von der Leyen qëndroi të shtunën në Kosovë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin, për t’i siguruar ata se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet përparësi e bllokut, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Vitin e kaluar Bashkimi Evropian miratoi një plan të rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje për të ndihmuar përshpejtimin e procesit të integrimit.
“Tani mund të fillojmë me parafinancimin e më shumë se 60 milionë eurove që mund t’i jipen Kosovës para fundit të këtij viti. Vlera e përgithshme që do të jetë në dispozicion të Kosovës nga plani i rritjes është më shumë 882 euro. Është në duart tona ta çojmë përpara këtë plan dhe hapat e parë tashmë janë shumë premtues”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se Kosova duke qenë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që ka miratuar sanksionet ndaj Rusisë ka dëshmuar përafrimin e saj me vlerat e Bashkimin Evropian ndërsa theksoi se është fat i keq për rajonin që Serbia vazhdon të jetë siç tha, sateliti kryesor i Rusisë.
“Është koha e fundit që vendosmëria që Bashkimi Evropian ka treguar në raport me Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare terroriste në shtator të vitit të kaluar, që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur synim destabilizimin e jo vetëm Kosovës por gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.
Të premten zonja Von der Leyen qëndroi në Beograd, ku u zotua se do të mbështes Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, ndërkaq refuzoi të takohej me kryeministrin serb Milosh Vuçeviç për shkak të bisedimeve të tij të premten me një delegacion të nivelit të lartë ekonomik rus, i cili ishte në Beograd për të diskutuar thellimin e lidhjeve me Serbinë.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia aleate tradicionale e Rusisë, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, ndonëse e ka dënuar me ngurrim agresionin rus në Ukrainë.
Diplomacia perëndimore po shton trysninë mbi Prishtinën dhe Beogradin që të zbatojnë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor për të hequr vëmendjen nga agresioni në Ukrainë.
Ndonëse nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian e konsideron marrëveshjen e Ohrit ligjërisht të detyrueshme dhe në disa raste ka theksuar se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.
(Zëri i Amerikës)