Gjyqi për incineratorin e Fierit do të përsëritet pjesërisht

Tiranë, 28 tetor 2024 – Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të hënën më 28 tetor të ripërsërisë pjesërisht gjykimin për aferën korruptive të incineratorit të Fierit, duke thirrur për të dhënë deklarimet e tyre pesë dëshmitarë dhe një  nga pesëmbëdhjetë të pandehurit, 12 prej të cilëve u deklaruan fajtorë në shkallën e parë. Vendimi u mor me shumicë votash pas shqyrtimit të kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi.

Të gjithë të pandehurit ishin të përfaqësuar me avokatët e tyre apo avokatë kryesisht seancën e të hënës, ç’ka mundësoi vijimin e gjykimit pas 12 seancave të shtyra prej muajit maj. Prokurori Dritan Prençi parashtroi se prokuroria ka ushtruar ankim ndaj vendimeve të dhëna nga gjykata, për pafajësitë e pjesshme, si dhe për uljen e vlerës së korrupsionit. Ai kërkoi thirrjen dhe marrjen e deklarimeve të pesë dëshmitarëve dhe një të pandehure, si dhe vlerësimin e provave nga ana e trupit gjykues të Apelit, duke e cilësuar të gabuar vlerësimin e kryer nga Shkalla e Parë.

Përfaqësuesit e të pandehurve të deklaruar fajtorë kërkuan që të mos pranohej kërkesa e prokurorisë, duke argumentuar se cënohej procesi i rregullt ligjor, pasi procedura është zhvilluar me gjykim të shkurtuar. Sipas tyre, gjykimi i shkurtuar kryhet bazuar në aktet e hetimit paraprak dhe thirrja e dëshmitarëve për t’u marrë deklarime para gjykatës e cënon këtë lloj gjykimi. Ata kërkuan pafajësi.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i kryesuar nga Engert Pëllumbi dhe anëtarë Miliana Muça e Dhimitër Lara vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e SPAK për ripërsëritjen e pjesshme të gjykimit. Kryesuesi Pëllumbi sqaroi se vendimi u mor me shumicë, pasi gjyqtari Dhimnitër Lara votoi kundër.

Mes prsonave që dy pyeten në gjykatë, është dhe e pandehura Arjola Kodra, e cila u shpall e pafajshme në Shkallën e Parë.

Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u dënua me 6 vite e tetë muaj burg për aferën korruptive të incineratorit të Fierit. Biznesmeni Klodian Zoto, i cili gjendet në arrati që kur u shpall në kërkim në dhjetor të vitit 2021, mori dënimin më të lartë me 8 vjet burg.

Ish-deputeti socialist Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e incineratorit të Fierit. Disa prej zyrtarëve, të cilët ishin pjesë e grupit të punës që miratoi kontratën e koncesionit, u dënuan me nga dy vjet burg për abuzim me detyrën. Po kështu edhe biznesmenët që besohet se shërbyen si hallka për tranferimin e parave.

Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë shpallur në kërkim për çështjen, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Ky i fundit u shpall i pafajshëm në gjykimin për incineratorin e Elbasanit.

(Reporter.al)