Muri dhe fuksi

Enkel Demi

Njëzetë e pesë vjet më parë binte Muri i Berlinit. Sot, kjo ngjarje mund të duket si e denjë për rubrikat dossier në televizione. Megjithëse, në atë kohë televizioni punonte me ngjyra, tash pas një çerek shekulli, na duket sikur ai Mur i përkiste kohëve të vjetra sa mesjeta. Në fakt, në histori 25 vjet janë shumë pak, në politikë ndoshta shumë.

Më kujtohet se si i përcillnim me merak ato pamje në një Shqipëri të varfër për bukën e gojës, me do tesha uniforme, në ca televizorë që llampat nxeheshin sikur me qenë shporet. Kanë qenë pamje që me gjasë nuk i kuptonim krejt. Ëndërronim liri, ushqim dhe roba, por lirinë e donim të parën. Falë Albit, një shok i imi, njihja albumin “The wall” të Pink Floyd-it. E dëgjonim në një magnetofon “Sherebel” që ai e ka ende dhe më përkthente tekstet. Unë dëgjoja i pabëzajt ca fjalët, ca muzikën. Ne jetonim tek “21 dhjetori” buzë rrugës së madhe, ku kalonte një makinë në sene, por në kryqëzim kishte semafor. Sa herë dilte e kuqja hidheshim përpjetë para ndonjë urbani që priste a kamioni, por na dukej sikur e kuqja rrinte gjatë, shumë gjatë. E gjelbra pak, shumë pak. Në ato shtëpitë tona si furriqe kalonim orët e vetëndërgjegjësimit tonë naiv. Albi ndiqte “Formula 1” dhe shihte “Simpson”. Unë bëja tifo për Boris Becker-in dhe urreja Ivan Lendl-in, se ishte çek, pra komunist. Ishte e thjeshtë, nuk i donim fuksat, se na spiunonim kur ngrinim zërin e “Sherebel”-it, teksa Bruce Springsteen këndonte “War” apo “Born in the USA”. Megjithatë, fuksat i njoha më vonë, madje i njoha edhe të premten tek ceremonia e Lul Bashës për koordinatorët.

Rënia e Murit, shumë mund të thonë sot, se për ne ishte shpresë, dritë në fund të tunelit. Jo, për ne ishte ankth. Ishte ankthi, nëse do të vinte edhe në këtë vend dita apo do të ishim të fundit e botës. Ishte ankthi, nëse shoku Ramiz ia dilte sërish ta dridhte. Dukej hils i vjetër që mund t’ia fuste edhe më të zgjuarit në këtë tokë. Kur mbërriti Perres de Cuellar, kujtuam se ia hodhi biri i kurvës. Ashtu flitej. Koli, shoku tjetër që ishte ushtar, thoshte se Ramizi e lëvizte sumçen më shpejt se ato gocat e “Electric blue”. Ndaj, kur Muri binte me padurim prisnim të na vinte radha, por në ankth, sepse ku i dihej mund të ishim brima e fundit e kavallit, se “gjermonët janë gjermonë”, ndaj dhe ambasadën e tyre e mësynë më shumë në korrik.

Muri solli kokën e Ceaușescu-t, dhe do muaj më vonë korrikun e Ambasadave. Muri i dha lejen Kadaresë. Rubeni ndjehej si jetim, kur iku “qorri” dhe thoshte: “Na la vetëm”, kurse Metja rrezik kishte bërë gati valixhen. I takonte dhe atij me shku, ishte poet.

Tash, kanë kaluar 25 vjet dhe sot shohim fotot, ceremonitë, gjegjim fjalimet e udhëheqësve të ditës. Unë dëgjoj “The wall”, por kam një jetë që nuk e dëgjoj më. Kemi ecur, ndoshta jo ashtu si donim, por sepse kështu kemi punuar, keq, ndaj kemi bërë para, por kemi ecur keq.

Nuk mund t’i honeps dot komunistët që tash, ditën e Murit kërkojnë me zë të lartë madhështinë e kremtimit e 70 vjetorit të 29 nëntorit. E di qysh tash se çfarë do shkruaj atë ditë në murin tim, por kësaj here të facebook “Gëzuar 70 vjetorin e ditës së parë të diktaturës!”. Nuk i duroj dot bijtë që vendosin shallin e kuq, sepse etërit vranë dhe përdhunuan gjysmën e Kombit. Nuk e honeps dot kryefuksin që rrinte në radhë të parë në ceremoninë e Lul Bashës të premten. Por, gjithsesi kemi ecur, sepse edhe kërmilli ecën, edhe breshka, edhe shqiptari. Veç, si kërmilli, si breshka e kemi tërheq në shpinë zhguallin ose më mirë Murin, ndaj ka liri me pikatore dhe pjellim drejtues që shndërrohen në përbindësha, njerëz që janë hajna me detyra të larta, banditë që bëjnë ligjvënësin, vrasës që vënë rregullin. Është Muri që na e vuri të gjithëve në kurriz ai hilsi që kishim frikë dikur. Në këtë vend nuk ndodhi kurrë vrasja e Murit. E hidhët si melenë stomaku ishte kur u shpall “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”. Thikë pas shpine ishte që nuk shkoi prona tek i Zoti. Faj i rëndë që nuk u hapën një herë të vetme ato dosje, nuk u dënua kurrë komunizmi, nuk u ndalua me ligj të tregojë bëma xhaxhi veterani tek lapidari. Përverse që i persekutuari mori paret që i caktoi si hak persekutuesi.

Në Berlin Muri ra para 25 vjetësh, por bashkë me të ranë agjentët e Stasi-t, propagandistët, prona e shtetëzuar, ra sistemi, u përmbys kasta dhe nuk e çoi kokën, tëpkë si ndodhi me nazistët, sepse “gjermonët janë gjermonë”. Kurse ne ca njerëz që i lëmë gjërat në mesrrugë. Edhe Murin e prishëm sa me qit kokën sipër me pa se çfarë ndodh përtej.