Bruksel, 10 maj 2021 – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë së bashku rrugën e integrimit evropian dhe njëkohësisht t’i nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Është në interesin tonë të ecim së bashku. Është edhe në interes të Shqipërisë të shkojmë së bashku, të ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë gjithë këtij procesi”, tha Zaev, të hënën, në Bruksel, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai tha se Maqedonia e Veriut e meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ne e meritojmë nisjen e bisedimeve si askush tjetër. Gjashtëmbëdhjetë vjet jemi me statusin e vendit kandidat, tri vjet pas Marrëveshjes së Prespës, njëqind ditë pas përfundimit të reformave. Këto u konfirmuan plotësisht në vitin 2020, nga 27 vendet anëtare të Unionit. Ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e së drejtës. Këtë e shohim përditë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila nuk është e lehtë për asnjë qeveri në botë. Nuk është as për ne, por është e ardhmja jonë evropiane”, tha Zaev.
Zaev bëri të ditur se presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka thënë se identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase janë çështje të panegociueshme.
“Identiteti dhe gjuha nuk duhet të jenë objekt i negociatave me BE-në në asnjë rrethanë”, tha kryeministri maqedonas.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, e ka riafirmuar mbështetjen për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, zonja von der Layen i ka inkurajuar Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, në mënyrë që të zhbllokohet procesi integrues.
Në nëntor të vitit të kaluar, Sofja ka vënë veto kundër çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, për shkak të mospajtimeve lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Sofja nuk e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, por kërkon që Shkupi të pranojë se ato kanë “rrënjë bullgare”.
(r.m.)