Uashington, 3 nëntor 2024 – Karolina e Veriut është shfaqur si një shtet i rëndësishëm në betejën zgjedhore për president që kur Nënpresidentja Kamala Harris zëvendësoi Presidentin Joe Biden si kandidate e Partisë Demokrate.
Disa muaj më parë, Karolina e Veriut konsiderohej një shtet ku dukej që fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të ishte kandidati republikan. Ish presidenti Donald Trump kryesonte në sondazhe.
Por pasi Nënpresidentja Kamala Harris u bë kandidatja e demokratëve epërsia që kishte krijuar zoti Trump filloi të bjerë.
Tani, Karolina e Veriut konsiderohet një shtet fushëbetejë, një nga shtatë shtetet që ka të ngjarë të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve.
Karolina e Veriut është një vend i larmishëm, i njohur për malet dhe plazhet e saj; sektorin bankar, bujqësinë dhe popullatën me prejardhje të ndryshme.
Profesori i shkencave politike Eric Heberlig analizon situatën në këtë shtet të pavendosur.
“Karolina e Veriut është shtet i pavendosur, sepse ka shtetas nga të gjitha komunitetet. Këtu janë të gjitha grupet demografike që janë me rëndësi kritike për votat e të pavendosurve”, thotë profesori Heberlig.
Por kandidatët republikanë për president kanë fituar 10 nga 11 zgjedhjet e fundit në Karolinën e Veriut. Pse demokratët mendojnë se mund të sigurojnë fitore këtë vit?
“Ka një popullsi në rritje dhe më të re… Demokratët nuk ishin shumë të entuziazmuar me kandidaturën e Joe Bidenit, veçanërisht votuesit më të rinj. Kamala Harris është më e re, sjell më shumë energji, çka është pritur mirë nga votuesit e rinj. Karolina e Veriut ka një përqindje të konsiderueshme pakicash, veçanërisht afrikano-amerikanë. Ata e pritën shumë mirë kandidaturën e Harrisit… Ne kemi një sektor teknologjie në rritje, një popullsi hispanike dhe aziatike në rritje”, thotë me tej ai.
Shumë prej këtyre të ardhurve të rinj po shkojnë drejt periferisë, duke i bërë këto zona më pak republikane, me kalimin e kohës. Në vitin 2020, zoti Trump fitoi Karolinën e Veriut me një diferencë prej vetëm 1.3 për qind ndaj zotit Biden.
“Ka gjithashtu pensionistë të racës së bardhë që shkojnë për të jetuar në zonat më rurale. Pra, arrihet një lloj balancimi midis qarqeve urbane, ku ka rritje të demokratëve dhe qarqeve më rurale që janë më shumë republikane, të dyja të nxitura nga migrimi”.
Karolina e Veriut ka popullsinë më të madhe rurale nga shtetet fushëbetejë, me afërsisht një të tretën e banorëve të shtetit që jetojnë në to.
“Fitorja e Obamës në vitin 2008 është dëshmi e vërtetë se çfarë sfide është për demokratët e Karolinës së Veriut të fitojnë zgjedhjet presidenciale këtu. Ne e mendojmë atë si një fitore të madhe për Obamën, por ai e fitoi atë me një total prej 13,000 votash, që është një shifër e vogël. Kjo fitore u arrit vërtet fal asaj që gjithçka shkoi si duhet për Obamën pasi ai kandidoi në kohën kur vendi ishte përfshirë në një luftë për të cilën fajësoheshin republikanët. Kishte edhe një recesion”, thotë profesori Heberlig.
Ashtu si votuesit në nivel kombëtar, shqetësimi kryesor i tyre është ekonomia. Një tjetër çështje është emigracioni.
Demokratët e kanë bërë abortin një pjesë kyçe të fushatës së tyre. Por, kjo çështje mund të mos jetë aq e rëndësishme për të fituar votat në Karolinën e Veriut.
Një sondazh i fundit zbuloi se vetëm 11% e votuesve në Karolinën e Veriut e quajn abortin si çështjen e tyre më të rëndësishme. Kjo është përqindja më e ulët e çdo shteti fushëbetejë.
“Do të jetë një gjë interesante të shihet se sa i nxisin demokratët çështje si aborti ose ruajtja e demokracisë për të votuar këtu”.
“Kjo zakonisht nuk ndodh, sepse procesi për t’u përfshirë në fletën e votimit në Karolinën e Veriut është më i vështirë sesa në shtetet e tjera. Sapo patëm miratimin nga Gjykata e Lartë të vendimit të Gjykatës Supreme të Karolinës së Veriut që pranoi kërkesën e kandidatit të tretë Robert Kenedy Jr. të hiqte veten nga fleta e votimit. Pra, kjo zvogëlon mundësitë që ai të marrë vota nga zoti Trump”, thotë profesori Haberlig.
Disa demokratë shpresojnë se një skandal i fundit që përfshiu garën për guvernatorin e shtetit do të përmirësojë mundësitë e tyre.
Kandidati republikan i mbështetur nga zoti Trump, Mark Robinson bëri deklarata ofenduese në internet.
Profesori Heberlig thotë se kjo mund të dëmtojë kampin republikan.
“Robinsoni do ta ketë të vështirë për të mbledhur fonde. Po ashtu, paratë nuk mund të shpenzohen për fushata të tjera që do të ndihmonin republikanët e tjerë të fitonin, siç është fushata e tyre ‘Dilni dhe votoni’”.
Këshilltarët e zotit Trump mendojnë se fitorja në Karolinën e Veriut është me rëndësi kritike për suksesin e tij në këto zgjedhje. Që kur zonja Harris hyri në garë, ish Presidenti Donald Trump ka bërë fushatë atje më shumë se në çdo shtet tjetër, përveç Pensilvanisë.
(Zëri i Amerikës)