Allan Lichtman parashikon fitoren e Kamala Harrisit

Uashington, 4 nëntor 2024 – Historiani i zgjedhjeve presidenciale, profesori Allan Lichtman, i cili e ka parashikuar saktë rezultatin e nëntë nga dhjetë zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, parashikon që zëvendës-presidentja Kamala Harris të fitojë në zgjedhjet e të martës.

“Përse jam i sigurt se Harris do të fitojë? Sepse është vetëm afër sondazheve, dhe sistemi im i injoron sondazhet”, tha Lichtman për CNN të hënën.

Sistemi i tij, i cili quhet “Çelësat e Shtëpisë së Bardhë”, kalon përmes 13 treguesve të një liste kontrolli para se të llogarisë parashikimin përfundimtar, duke shpërfillur rezultatet e sondazheve në prag të zgjedhjeve.

Lichtman tha se sondazhet shpesh janë thjesht “fotografi” me marzhe të mëdha gabimi.

“Njerëzit nuk u përgjigjen anketuesve, gënjejnë, ndryshojnë mendje dhe duhet të hamendësojnë se cilët janë votuesit e mundshëm”, tha ai.

Sistemi i tij prej 13 pikësh, përmes përgjigjeve “po” ose “jo”, merr në konsideratë një sërë faktorësh dhe rrethanash, të tilla si nëse ka pasur trazira sociale gjatë mandatit të mëparshëm presidencial, nëse ekonomia ka rënë në recesion dhe nëse presidenti aktual është përballur me skandale të mëdha gjatë mandatit të tij.

Edhe pse është i sigurt në parashikimin e tij, Lichtman tha se բsahtë nervoz, pjesërisht sepse ai dhe familja e tij kanë marrë numër të paparë të ngacmimeve e të urrejtjes dhe pjesërisht sepse, siç është shprehur, “demokracia është njëmend në fletëvotim”.

Lichtman e konsideron si rrezik të madh për demokracinë fitoren eventuale të Donald Trumpit.

“Demokracia është e çmuar. Por, sikurse të gjitha gjërat e çmuara, ajo mund të shkatërrohet”, tha ai.

“Ne nuk kemi pasur kurrë më parë një kandidat që e ka penguar transferimin paqësor të pushtetit, që ka nxitur grusht shteti të dhunshëm, që ka orkestruar elektorë të rremë dhe që  ka refuzuar të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të ndershme”, theksoi Lichtman.

“Nuk më intereson aq shumë nëse kam të drejtë apo gabim, më intereson e ardhmja e vendit tonë, i cili është në rrezik të madh”, theksoi ai.

(r.m.)