Uashington, 4 nëntor 2024 – Amerikanët do të votojnë të martën për të zgjedhur se kush do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë në katër vitet e ardhshme. Gara mes Nënresidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump është megjithatë aq e ngushtë, saqë ekipet e tyre janë në gatishmëri për betejat ligjore që mund të pasojnë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias na sjell të tjera detaje.
Në fillim të këtij viti kandidati republikan për president, Donald Trump, tha se nëse rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit do të jenë “të ndershme, të drejta e të lira”, ai do t’i pranonte ato.
Zyrtarët zgjedhorë janë të bindur se procesi do të jetë i drejtë, i sigurt dhe transparent, por ish-presidenti ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin se kundërshtarët e tij mund të bëjnë manipulime. “Ata janë një mori mashtruesish. Nëse do të arrijmë ta kontrollojmë (manipulimin), do të kemi një fitore të jashtëzakonshme”, tha zoti Trump.
Gjatë një interviste që u transmetua muajin e kaluar në rrjetin televiziv NBC Nënpresidentja Kamala Harris i tha gazetares Hallie Jackson, se ekipi i saj ishte i përgatitur nëse zoti Trump do të humbiste zgjedhjet dhe do të tentonte të përmbysë rezultatin e tyre.
“Ne do të merremi me natën e zgjedhjeve dhe ditët pasardhëse, me çfarë do që do të ndodhë. Ne kemi burimet, ekspertizën dhe vëmendjen e duhur gjithashtu”, tha zonja Harris.
Kuvendi Kombëtar Republikan ka krijuar të ashtuquajturin “Programi mbi Integritetin e Zgjedhjeve” në shtetet e fushëbetejës. Përfaqësuesit ligjorë të tyre kanë ngritur më shumë se njëqind padi mbi dyshime për parregullsi lidhur me rregullat e votimit, por shumë prej tyre janë hedhur poshtë nga gjykatat.
Demokratët kanë nisur përpjekjet e tyre ligjore, përfshirë padinë për të parandaluar vonesat e mundshme në çertifikimin e rezultatit në shtetin e Xhorxhias.
Në garat e forta presidenciale si ajo e këtij viti, betejat ligjore janë të pritshme. Shumica e tyre do të ndodhë në shtetet e pavendosura, parashikojnë analistët.
“Në qendrat e votimit, ne shpesh shohim debate nëse fletët e votimit po trajtohen ashtu siç duhen. Në ditën pas zgjedhjeve ka mosmarrëveshje nëse votues të veçantë, që nuk e kanë emrin në lista, kanë apo jo të drejtë të votojnë, dhe nëse vota e tyre duhet numëruar”, thotë Michael Thorning, i Qendrës së Politikave Dypalëshe.
Ndërkohë ekspertët ligjore thonë se kushdo që ka pretendime për manipulime duhet të paraqesë prova.
“Ekspertët ligjorë (të partive politike) duhet të bëjnë kujdes me pretendimet që kanë. Ata duhet të sigurohen se mund t’i provojnë ato, përndryshe mund t’i nënshtrohen masave disiplinore, siç e kemi parë edhe në vitin 2020″, thotë Robert Graci, i organizatës së pavarur “Keep Our Republic”, (Një Republikë).
Ish-avokatit të zotit Trump, Rudy Giuliani për shembull, iu hoq liçensa për përhapjen e pretendimeve të pabaza se zgjedhjet e vitit 2020 ishin vjedhur.
Betejat ligjore mund të vonojnë shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Por nëse të martën në mbrëmje rezultatet janë qartësisht në favor të një kandidati, me një diferencë të dukshme, analistët thonë se do të jetë shumë më e vështirë për partinë kundërshtare që t’i kundërshtojë rezultatet.
(Zëri i Amerikës)