Tokyo, 5 nëntor 2024 – Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në drejtim të detit në lindje të Gadishullit Korean, tha të martën Shefi i Shtatmadhorisë së Koresë së Jugut.
Raketat u hodhën rreth orës 7:30 të mëngjesit të martën nga Provinca Hwanghae në Korenë e Veriut, tha Shefi i ushtrisë koreanojugore. Ai shtoi se Seuli po ndante informacionet mbi këtë zhvillim me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë dhe po vëzhgonte nga afër provat me raketa të Phenianit.
Lëshimi i raketave të Koresë së Veriut u njoftua edhe nga qeveria japoneze. Roja bregdetare e Japonisë tha se një raketë balistike e lëshuar nga Koreja e Veriut kishte rënë tashmë oqean dhe kanali japonez NHK raportoi se dukej se ajo kishte rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë në oqean.
Lëshimi i raketave pason provën e fundit të Koresë së Veriut javën e kaluar me një rakete të re balistike ndërkontinentale të quajtur “Hwasong-19” dhe vjen disa orë para hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Media shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA publikoi të martën një raport në të cilin Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të vendit, Kim Jong Un, dënoi stërvitjet e fundit ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut, duke thënë se ato janë një kërcënim për vendin dhe justifikojnë përforcimin me armë bërthamore të Koresë së Veriut.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, vuri në dukje në fund të muajit të kaluar se Koreja e Veriut “do të dëshironte të ekzagjeronte ekzistencën e saj para, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara” duke demonstuar fuqinë e saj ushtarake përmes një prove me raketa balistike ndërkontinentale apo me një provë tjetër bërthamore.
(Zëri i Amerikës)