Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Aplikacioni celular CBP One u jep mundësinë personave të huaj të cilët kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet pikave të hyrjes kufitare tokësore jugperëndimore, pa dokumente të përshtatshme për pranim, që në vend që të vijnë direkt në pikën kufitare, të fusin informacion paraprakisht në hapësirën e krijuar për këtë qëllim në aplikacion. Më pas, atyre u jepet mundësia që të caktojnë një takim për t’u paraqitur për inspektim në një nga pikat kufitare që pranon këtë mënyrë aplikimi.
Migrantët tani duhet të hyjnë nëpërmjet aplikacionit online, CBP One, i cili ofron 1,450 vende në ditë duke u lejuar kështu migrantëve që të caktojnë kohën kur të paraqiten në pikën kufitare. Migrantët mund të MOS kualifikohen për azil nëse nuk përdorin CBP-në. Migrantët e kapur në kufi gjithashtu nuk pyeten më nëse kanë frikë të kthehen në vendin e tyre, një ndryshim ky që sipas aktivistëve që merren me emigrantët po çon në dëbimin e personave që mund të kenë pretendime legjitime për azil.
Presidenti Biden ka nxjerrë një deklaratë e cila pezullon dhe kufizon përkohësisht futjen e emigrantëve në kufirin jugor si dhe siguron që këto masa do të qëndrojnë në fuqi derisa administrata të konstatojë një rënie të qëndrueshme të numrit të shkeljeve të paligjshme në kufi. Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu nxorrën një rregullore që kufizon mundësinë për t’u kualifikuar për azil dhe i jep më shumë mundësi qeverisë për të kundërvepruar në kohë ndaj atyre që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme ose mbërrijnë pa marrë autorizim nga forcat kufitare të kufirit jugor. Rregulli do të mbetet në fuqi sa kohë që numri i takimeve në kufi do të jetë aq i lartë sa t’ia kalojë kapacitetit që ka qeveria për të vepruar në kohë. Diçka e tillë do të bëjë që personave jo-nënshtetas që kalojnë kufirin në pjesën jugore pa lejen përkatëse të mos u jepet e drejta për azil, përveçse kur përbëjnë raste të veçanta.
Këto rregulla kontribuojnë në rritjen e standardit të kontrollit dhe shqyrtimit të pretendimeve për “mbrojtje” si dhe përshpejtojnë mundësinë për dëbim të shpejtë të atyre që nuk kualifikohen për mbrojtje. Jo-nënshtetasit që janë në procedura dëbimi të përshpejtuara dhe që u nënshtrohen kufizimeve që parashikon rregullorja e re lidhur me të drejtën për azil, do të largohen (deportohen) menjëherë në rast se nuk arrijnë të tregojnë që probabiliteti që do të përndiqen apo persekutohen nëse kthehen në vendin e tyre, nuk është i tillë që të konsiderohet “i arsyeshëm.” Atyre që u është dhënë urdhër të largohen, nuk do t’u lejohet hyrja në SHBA për një periudhë pesë-vjeçare si dhe në rast se më vonë hyjnë në mënyrë të paligjshme, mund të ndiqen penalisht.
Zbatimi i rregullores do të ndërpritet vetëm pasi në 28 ditë kalendarike të njëpasnjëshme, mesatarja e takimeve ndërmjet dy pikave hyrëse kufitare gjatë 7 ditëve të njëpasnjëshmenë kalendarike do të bjerë në më pak se 1500.
Ky aplikacion (app) mund të shkarkohet nga Apple App Store ose Google Play Store. Pikat hyrëse që pranojnë këtë aplikacion gjenden në Texas në Brownsville, Eagle Pass, Hidalgo, Laredo dhe El Paso (Paso del Norte); Nogales në Arizona; si dhe në Calexico West dhe San Ysidro (Pedestrian West –El Chaparral) në Kalifornia. Për arsye sigurie dhe të ruajtjes së privacisë, ky proces përdor Login.gov gjatë futjes së të dhënave personale të jo-nënshtetasve si dhe foton live të udhëtarit që gjithashtu ka kërkuar t’i caktohet një datë dhe një orë për t’u paraqitur në pikën e caktuar kufitare. Me të mbërritur në pikën kufitare, personit i bëhet një foto e cila shërben për të krahasuar dhe më pas konfirmuar “përputhjen” me informacionin e paraqitur paraprakisht si dhe për të bërë më të lehtë procesin në kufi.
Avokatët e emigracionit argumentojnë se përdorimi i detyrueshëm i aplikacionit celular CBP One si mjeti i vetëm për të kërkuar strehim politik në Shtetet e Bashkuara përbën një shkelje të hapur të të drejtave ndërkombëtare si dhe të ligjeve mbi refugjatët. Ai u hap azilkërkuesve një numër problemesh që lidhen me pengesat e natyrës teknologjike, me kufizimet gjuhësore apo paaftësinë për shkrim dhe këndim, me dizinformimin si dhe me natyrën arbitrare të caktimit të takimeve. Aplikacioni CBP One, i disponueshëm vetëm në anglisht, spanjisht dhe gjuhën kreole haitiane, funksionon brenda një sistemi ku takimet ditore caktohen kryesisht në mënyrë të rastësishme, gjë që çon në situata jo të qëndrueshme mes azilkërkuesve, duke i lënë kështu në gjendje pasigurie dhe në rreziku.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]