Gazetarja Ana Raiçkoviq dhe familja e saj sulmohen fizikisht në Podgoricë

Podgoricë, 11 nëntor 2024 – Afaristi dhe sipërmarrësi i njohur i Malit të Zi, Zoran Beqiroviq, djali dhe truproja e tij janë arrestuar nën dyshimet se kanë sulmuar gazetaren e gazetës së përditshme ditore “Pobjeda”, Ana Raiçkoviq dhe familjen e saj, njoftoi të hënën policia malazeze.

Sipas autoriteteve, tre të dyshuarit sulmuan “verbalisht dhe fizikisht” gazetaren Raiçkoviq dhe anëtarët e familjes së saj të dielën në Podgoricë. Vetura e zonjës Raiçkoviq u dëmtua gjatë sulmit, sipas njoftimit të policisë.

Sulmi ndaj gazetares Raiçkoviq, e cila raporton mbi ngjarjet e kronikës së zezë në gazetën “Pobjeda”, është dënuar nga udhëheqësit malazezë, zyrtarët ndërkombëtarë dhe sindikata e gazetarëve.

“Liria e medias dhe puna e papenguar e gazetarëve është thelbësore për demokracinë”, deklaroi Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Presidenti malazez, Jakov Milatoviq, kërkoi nga autoritetet shtetërore “të krijojnë një mjedis në të cilin gazetarët do të mund ta bëjnë punën e tyre të papenguar dhe pa frikë”.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, tha se BE-ja “pret një hetim të shpejtë dhe një përgjigje efektive gjyqësore”.

“Dhuna ndaj gazetarëve nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, shkroi zoti Sattler në platformën X.

Sindikata e Medias së Malit të Zi (SMCG) bëri thirrje për ndjekjen e menjëhershme të autorëve të sulmit, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë “mund të dërgohet një mesazh i qartë se nuk ka të paprekshëm në këtë shoqëri dhe se çdo përplasje fizike dhe verbale me përfaqësues të mediave është e papranueshme”.

Gjatë vitit 2024, sipas kësaj sindikate, janë shënuar 18 sulme apo incidente ndaj gazetarëve në Mal të Zi.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*