Prishtinë, 12 nëntor 2024 – Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Faton Peci, ka propozuar që “Darka e Lamës” të jetë festë kombëtare.
Ai ka thënë se kjo ngjarje, e cila organizohet tradicionalisht më 2 dhjetor, duhet të kthehet në një mundësi për promovimin e prodhimeve vendore.
“Vlerësoj se ky aktivitet tradicional që organizohet nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e ka zanafillën ideore nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duhet të ketë përmasa edhe më të gjera në organizim në të gjitha nivelet, deri në shënim e kremtim kombëtar në çdo familje. Këtë vit, ne e fillojmë këtë traditë edhe nga Ministria e Bujqësisë, me bindjen se ky aktivitet do të organizohet nga të gjitha nivelet institucionale e deri te çdo familje e çdo shtëpi, ku do të shtrohet Darka e Lamës me produkte bujqësore vendore, duke e kthyer këtë ngjarje në një mundësi ideale për promovimin e prodhimeve vendore”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka shtuar se në këtë kremtë duhet të falënderohen prodhuesit vendorë për mundin dhe punën e tyre në sektorin e bujqësisë.
“Në të ardhmen, do t’u propozoj institucioneve të Republikës së Kosovës që data 2 dhjetor të kremtohet si datë e veçantë anembanë Kosovës”, është shprehur ai.
(r.m.)