Uashington, 13 nëntor 2024 – Presidenti i zgjedhur amerikan Dpnald Trump njoftoi se ish-drejtorin e Zbulimit Kombëtar, John Ratcliffe, do ta emërojë për drejtor të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Zoti Ratcliffe ishte drejtuesi i gjashtë i zbulimit kombëtar, që shërbeu gjatë tetë muajve të fundit të administratës së ish-Presidentit Trump.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se ish-Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, do të shërbejë si Drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Nga zbulimi i marrëveshjeve të fshehta ruse të rreme si operacione të fushatës së Klintonit e deri te nxjerrja e abuzimeve të lirive qytetare nga FBl-a para gjykatës FISA, John Ratcliffe ka qenë gjithnjë një luftëtar për të vërtetën dhe ndershmërinë me publikun amerikan. Kur 51 zyrtarë të inteligjencës po gënjenin për laptopin e Hunter Biden, ishte njëri, John Ratcliffe, që ia tregonte të vërtetën popullit amerikan”, ka shkruar Trump në platformën Truth.
“Mezi pres që John të jetë personi i parë që do të shërbejë në të dyja pozicionet më të larta të Inteligjencës së Kombit. Ai do të jetë një luftëtar i patrembur për të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve, ndërsa garanton nivelet më të larta të sigurisë kombëtare dhe paqe përmes fuqisë”, ka theksuar Presidenti i zgjedhur i SHBA-së.
Në qoftë se konfirmohet emërimi i tij, John Ratcliffe do ta pasojë në këtë pozitë shefin aktual të agjencisë Ëilliam Burns.
Para se të emërohej nga Trump, Ratcliffe ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga Teksasi. Si përfaqësues në komitetet e Drejtësisë dhe të Inteligjencës, Ratcliffe ishte një mbrojtës i fuqishëm i Trumpit.
Disa vëzhgues politikë e shihnin z. Ratcliffe si kandidat të mundshëm edhe për Prokuror të Përgjithshëm.
(r.m.)