Përshkallëzohet konflikti palestinezo-izraelit

Jerusalem / Gaza, 11 maj 2021 – Konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve është përshkallëzuar të hënën në mbrëmje, kur militantët palestinezë kanë sulmuar me raketa drejt objektivave izraelite në Jerusalemin Lindor.

Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur me sulme ajrore kundër shënjestrave të militantëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Gaza kanë thënë se në këto sulme janë vfrarë të paktën 22 civilë, përfshirë 9 fëmijë. Ndërkaq, ushtria izraelite ka thënë se nëmesin e të vdekurve kanë qenë të paktën 15 anëtarë të grupit “Hamas” që e drejtojnë Gazan.

Bombardimet nuk janë ndalur as gjatë natës. Gjëmimi i raketave palestineze dhe sulmeve ajrore izraelite janë dëgjuar edhe të martën.

Ushtria izraelite ka thënë se ka kryer sulme në 139 shënjestra në gjithë Rripin e Gazës. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se një grua është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, Hamasi ka lëshuar raketa edhe në qytetit Ashkelon, në jug të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit izraelit në një kuart civil afër qytetit të Gazës.

Një burim nga Hamasi i ka thënë BBC-së të marrën në mëngjes se më shumë se 300 raketa janë hedhur nga Gaza gjatë 12 orëve të fundit.

Të martën në mëngjes, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka thënë se më shumë se 700 palestinezë janë plagosur në përleshjet me forcat e sigurisë izraelite në Jerusalem dhe në zonën e Bregut Perëndimor.

Konflikti izraelito palestinez është përshkallëzuar pas sulmeve me raketa ndaj objektivave izraelite.

Hamasi ka nisur sulmet me raketa në shenjë hakmarrjeje për plagosjen e qindra palestinezëve nga policia izraelite në kompleksin rreth xhamisë “Al-Aksa” në Jerusalemin Lindor, ditën e hënë.

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Hamasi “e ka kaluar linjën e kuqe” dhe se Izraeli do të kundëpërgjigjet “me forcë të madhe”.

Ditët e fundit ka pasur përleshje të mëdha mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë, në pjesën e vjetër të qytetit të Jerusalemit. Përleshjet kanë nisur pas kërcënimeve izraelite me dëbimin e familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor.

Ky qytet me disa zona të shenjta, është në qendër të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe gjithë qytetin e kionsideron si kryeqytet të vetin.  Ndërkaq, palestinezët e konsiderojnë si kryeqytet të shtetit të ardhshëm të Palestinës pjesën lindore të Jerusalemit.

(r.m.)