Biseda e Scholzit me Putinin shkaktoi shqetësim në Ukrainë

Kiev, 15 nëntor 2024 – Biseda telefonike që Kancelari gjerman Olaf Scholz e zhvilloi të premten me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka shkaktuar shqetësim në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kjo bisedë mund të hapë “Kutinë e Pandorës”  dhe të minojë përpjekjet për të izoluar liderin rus.

“Tani mund të ketë biseda të tjera, telefonata të tjera. Vetëm shumë fjalë. Dhe kjo është pikërisht ajo që Putini ka dashur për një kohë të gjatë: është jashtëzakonisht e rëndësishme për të që të dobësojë izolimin e tij”, tha Zelensky në një fjalim pasdite.

 Ukraina tha se bisedat telefonike me Vladimir Putin nuk kanë sjellë ndonjë vlerë të shtuar në rrugën drejt arritjes së “paqes së drejtë” në Ukrainë.

“Për më shumë se dy dekada, Putini i ka përdorur bisedimet e gjata si një mjet për të çuar përpara interesat e tij. Aktualisht, bisedimet i japin Putinit vetëm shpresën për dobësim të izolimit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Heorhii Tihii, në një deklaratë për medie.

Qeveria gjermane tha se Kancelari Scholz i ka kërkuar Putinit t’i japë fund luftës duke i tërhequr trupat ruse nga Ukraina.

“Kancelari i bëri thirrje Rusisë të tregojë gatishmëri për të negociuar me Ukrainën, me qëllim të arritjes së një paqeje të drejt dhe afatgjate. Ai e theksoi vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus sa të jetë e nevojshme”, tha zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

(r.m.)