Çfarë është viza jo-emigruese?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Viza joemigruese vihet në pasaportë dhe ju lejon të udhëtoni përkohësisht në Shtetet e Bashkuara. Zakonisht, një nënshtetas i një vendi të huaj që dëshiron të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara duhet të aplikojë dhe të marrë një vizë amerikane në përputhje me qëllimin e udhëtimit. Për shembull, një nënshtetas i huaj që dëshiron të shkojë për pushime në Niagara Falls duhet të kërkojë një vizë vizitori B-1/B-2 për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

Shumë nënshtetas të huaj që tashmë banojnë në Shtetet e Bashkuara mund të kenë nevojë për vizë për t’u rikthyer aty pas një udhëtimi jashtë vendit. Për shembull, një student F-1 i cili kohët e fundit ka ndryshuar statusin e tij në atë të një punonjësi me vizë H-1B gjatë periudhës që është në Shtetet e Bashkuara mund të punojë dhe të qëndrojë aty sa kohë që viza në fjalë është e vlefshme (një e dhënë që gjendet në letrën që ka njoftuar aprovimin e vizës). Në rast se personi i punësuar me vizë H-1B dëshiron të kthehet në vendin e tij për të vizituar familjen dhe të afërmit, atij ose asaj do t’i duhet të aplikojë për një vizë H-1B për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara dhe për të rifilluar punën nën statusin H-1B.

Janë dy hapa që duhen ndjekur për procesin e aplikimit dhe marrjes së vizave:

HAPI 1 – Mbushja në internet e aplikimit për vizë DS-160.

DS-160 është një formular që gjendet në internet dhe që përdoret për të aplikuar për viza të përkohshme amerikane, mes të cilave mund të përmendim vizat B-1/B-2, H-1B dhe K (viza për të fejuarit/at). Çdo aplikant për vizë joemigruese, përfshirë dhe bashkëshorten dhe fëmijët, duhet të plotësojë online një aplikim më vete DS-160 për vizë joemigruese. Aplikantët mund të gjejnë aplikimin DS-160 përmes kësaj faqeje interneti: https://ceac.state.gov/ceac/

  • Duhet të jeni të përgatitur të jepni informacione personale dhe biografike (p.sh. informacionin që keni në pasaportë, adresën, informacion lidhur me udhëtimin, punën dhe nivelin arsimor), dhe – si pjesë e këtij procesi – mund t’ju kërkohet të “ngarkoni” një fotografi me përmasa si ato që kërkohen për pasaportë.
  • Ju mund t’i qaseni pyetjeve të aplikimit në gjuhë të ndryshme duke zgjedhur një gjuhë në anën e sipërme të djathtë të faqes së internetit ku thotë  “select tooltip language“. Nëse gjuha që zgjidhni nuk është anglishtja, kur të klikoni në ndonjë fjali, ajo do të përkthehet automatikisht në gjuhën që keni zgjedhur. Kini kujdes: aplikimi duhet të plotësohet në anglisht.
  • Kur filloni të merreni me formularin DS-160, faqja e internetit do t’ju ofrojë një “numër” identifikimi (ID application). Kjo ID duhet printuar ose ruajtur në mënyrë që të mund ta gjeni dhe ta përdorni lehtësisht.
  • Faqja e internetit e qeverisë mund të jetë e vështirë për t’u naviguar dhe shpesh del jashtë shërbimit, kështu që është mirë të klikoni shumë shpesh butonin “save”, në mënyrë që, nëse “dilni” nga faqja, të mos humbisni përgjigjet që keni dhënë.
  • Aplikimi DS-160 fshihet automatikisht nëse nuk futeni në të për 30 ditë, kështu që këshillohet që të krijoni një “rikujtues” në kalendar në mënyrë që nëse nuk arrini ta plotësoni menjëherë, t’ju kujtojë të futeni herë pas here në aplikimin DS-160 që keni nisur të plotësoni.
  • Pasi të keni plotësuar formularin DS-160, duhet të ruani “konfirmimin”, pasi do t’ju duhet kur të paraqiteni në takimin e intervistës për vizë.

HAPI 2 – Caktimi dhe paraqitja në takimin për vizë.

Pasi të keni dorëzuar aplikimin DS-160, do t’ju duhet të caktoni një takim për vizë joemigruese në ambasadën ose konsullatën e SHBA-së. Vendi ku po aplikoni për vizë do të përcaktojë se cilin sistem të përdorni për të caktuar takimin tuaj. Për të përcaktuar se cilin sistem do t’ju duhet të përdorni për të caktuar takimin tuaj, duhet të vizitoni faqen e internetit të ambasadës së SHBA-së, e cila zakonisht lidhet me sistemin përkatës të caktimit të takimeve. Do t’ju duhet të krijoni një llogari, të futeni aty, të zgjidhni kategorinë e duhur të vizave dhe më pas të paguani tarifën e aplikimit për vizë joemigruese. Tarifat e vizave variojnë në varësi të kategorisë së vizës për të cilën po aplikoni. Pasi të keni paguar tarifën, duhet të jeni në gjendje të zgjidhni datën dhe orën e takimit për vizë. Çdo zyrë konsullore ka kohë të ndryshme pritjeje për takime për vizë, të cilat mund të variojnë nga disa ditë në më shumë se një vit. Nëse udhëtimi juaj është urgjent dhe në internet nuk arrini të gjeni një hapësirë për të caktuar takimin, mund t;ju jepet mundësia të kërkoni një takim të përshpejtuar. Shumë zyra konsullore kërkojnë që aplikantët për vizë të paraqiten personalisht në takimin për intervistë, por ka edhe zyra konsullore ku aplikantëve nuk u kërkohet fare takim për intervistë.

Hapi i fundit në shumicën e proceseve për marrjen e vizës është paraqitja në intervistën për vizë. Rishikoni me kujdes udhëzimet dhe listën e dokumentave që ju kërkohen për intervistë nga zyra konsullore. Faqja e internetit e ambasadës ose konsullatës zakonisht ka një listë që u vjen në ndihmë aplikantëve gjatë procesit përgatitor. Në momentin që merrni vizën, keni leje që të udhëtoni në Shtetet e Bashkuara dhe të pranoheni aty në statusin e shënuar në vizë.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]