Bukuresht, 16 nëntor 2024 – Kapiteni i kombëtares së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, ka shpjeguar arsyet e braktisjes së fushës nga ekipi i Kosovës, në minutat shtesë të ndeshjes me Rumaninë, në Bukuresht. Ai ka thënë se lojtarët u larguan nga fusha për shkak të thirrjeve kundër shtetit të Kosovës nga tifozët rumunë.
“Gjithçka filloi para ndeshjes. Rumania bëri fushatë që tifozët të mos bënin thirrje raciste. Por, gjatë gjithë ndeshjes na kanë thërrisdnin ‘Kosova është Serbi’”, ka treguar ai.
“I thashë arbitrit, por ai nuk donte të dëgjonte. I thashë edhe se do të largoheshim nga fusha nëse vazhdonin këto skena, por ai nuk deshi të ndërmerrte asnjë veprim”, ka shpjeguar Rrahmani.
Ai ka thënë se futbollistët e Kosovës kanë marrë vendim të mos kthehen më në fushën për shkak se tifozët rumunë kanë vazhduar të brohorasin kundër shtetit të Kosovës gjithnjë e më shumë.
“Tifozët filluan të bërtisnin gjithnjë e më fort dhe ne vendosëm të mos ktheheshim në fushë. Ne përfaqësojmë njerëzit që kanë pasur një të kaluar të vështirë, ka pasur masakra”, ka shtuar ai.
Kapetani Rrahmani ka theksuar se ekipi kombëtar i Kosovës nuk do të tolerojë më fyerje e denigrime në stadiumet e futbollit.
“Ta dinë të gjithë se Kosova është Kosovë dhe kaq!”, ka theksuar ai.
Por, një incident ka ndodhur edhe jashtë fushës së futbollit, në ambientet e stadiumit. Një zyrtar rumun me ID “all acces” e provokoi dhe tentoi ta sulmonte fizikisht lojtarin e Kosovës, Edo Zhegrova. Incidenti ka ndodhur pas përfundimit të konferencës për medie të menaxherit, trajnerit e kapitenit të ekipit kombëtar të Kosovës.
UEFA ka njoftuar për ndëprerjen e ndeshjes, por nuk ka shpjeguar se çfarë do të vendosë për ndeshjen.
“Ndeshja e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës ëhtë ndërprerë. UEFA do të komunikojë informacione të mëtejshme në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Në momentin e ndërprerjes së ndeshjes, rezultati ishte baras, zero me zero, dhe gjasat që ky rezultat të ndryshonte ishin puthuajse kurrfare.
Gjatë ndeshjes, lojtarët e Kosovës dominuan në fushë në të gjitha aspektet, por nuk arritën t’i kontretizojnë rastet për shënimin e golave, pak për shkak të mungesës së fatit e më shumë për shkak të mbrojtjeve të jashtëzakonshme të portierit rumun.
(r.m.)