Bukuresht, 16 nëntor 2024 – Kombëtarja e Rumanisë në Futboll i ka falënderuar tifozët e saj që ishin të pranishëm në stadiumin “Arena” në Bukuresht, të premten mbrëma, në ndeshjen kundër Kosovës, e cila u ndërpre pasi lojtarët e Kosovës e braktisën fushën duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.
“Kombëtarja rumune në Futboll dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit”, thuhet në deklaratë.
Në minutën e 92-të të lojës, futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht, në ndeshjen që po zhvillohej në kuadër të Ligës së Kombeve. Kombëtarja rumune e gjykon vendimin e ekipit të Kosovës për të mos e vazhduar ndeshjen, duk,e e cilësuar si “mungesë respekti” për futbollin.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, thuhet në deklaratën e Kombëtares së Rumanisë.
Kombëtarja rumune tha se falënderon tifozët për inkurajimin e dhënë dhe për mirëkuptimin e qëllimit të përbashkët në këtë ndeshje.
“Trikolorët po ashtu e vlerësojnë faktin që tifozët ia dolën aq sa mundën që të mos iu përgjigjeshin sfidave që vinin nga mysafirët tanë”, thuhet në deklaratë.
Policia rumune njoftoi e 13 tifozë janë gjobitur pas ndeshjes, ndërsa nëntë të tjerëve u është ndaluar hyrja në stadiume për një vit.
Autoritetet thanë se po vazhdojnë kontrollet për të identifikuar personat që kanë shkelur ligjet që ndalojnë përdorimin e lëndëve plasëse dhe të dhunës gjatë garave sportive.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në ueb-faqen e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
(r.m.)