Kritikët e Putinit protestojnë në Berlin, kërkojnë demokraci në Rusi dhe fundin e luftës në Ukrainë

Berlin, 17 nëntor 2024 – Figura të njohura të opozitës ruse udhëhoqën sot një protestë në qendër të Berlinit, ku kritikuan Presidentin rus Vladimir Putin dhe luftën e tij në Ukrainë dhe njëherësh bënë thirrje për demokraci në Rusi.

Duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Jo Putin, jo luftë”, protestuesit u udhëhoqën nga Yulia Navalnaya, e veja e kritikut kyesor të Presidentit rus Putin, Alexei Navalny, si edhe nga Ilya Yashin dhe Vladimir Kara-Murza, të cilët u liruan nga burgjet ruse, pas një shkëmbimi të të burgosurve gjatë kësaj vere.

Duke bërë thirrje “Rusia pa Putinin”, si edhe thirrje të tjera në gjuhën ruse, protestuesit mbanin pankarta me një sërë mesazhesh, përshirë “Putini është i barabartë me luftë” dhe “Putini është vrasës”, të shkuara në gjuhën gjermane.

Disa demonstrues marshuan me flamujt e Rusisë ose Ukrainës, ndërsa të tjerë me flamur me ngjyrë të bardhë e blu që përdoren nga disa grupe opozitare ruse.

Organizatorët thanë se marshimi nisi në sheshin Potsdamer dhe vazhdoi drejt Portës së Branderburgut dhe përfundoi para ambasadës ruse.

Nëpërmjet një deklarate protestuesit thanë se përmes “marshimit kërkohet tërheqja e menjëhershme e trupave ruse nga Ukraina, zhvillimi i një procesi gjyqësor ndaj Vladimir Putinit si kriminel lufte si edhe lirimi i të gjithë të burgosurve politikë në Rusi”.

Politikani në mërgim Ilya Yashin tha para protestës se synimi ishte që të “shfrytëzohej liria që kemi në Berlin për t’i dëshmuar botë se ekziston edhe një Rusi e paqtë, e lirë dhe e civilizuar”.

Opozitarët Navalnaya, Yashin dhe Kara-Murza u bënë bashkë sot për të treguar unitet.

Anëtarët e opozitës ruse që ndodhen në mërgim deri tani nuk ia kanë dalë të jenë të njëzëshëm dhe të paraqesin një plan të qartë veprimi.

(Zëri i Amerikës)