Uashington, 18 nëntor 2024 – Presidenti Joe Biden filloi një udhëtim me rëndësi historike në Brazil gjatë fundjavës, duke u bërë presidenti i parë amerikan që viziton pyjet tropikale të Amazonës. Gjatë vizitës, ai foli për politikat e administratës së tij për të luftuar ndryshimet klimatike. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ai do të marrë pjesë sot (të hënën) në takimin e nivelit të lartë të 20 shteteve më të industrializuara të botës, G20, në Rio de Zhaneiro. Gjatë këtij takimi do të diskutohet mbi klimën, reduktimin e varfërisë dhe çështje të tjera globale.
Shpyllëzimi, erozioni dhe dëmtimet nga zjarri në pyllin më të madh në botë janë disa nga skenat që Presidenti Joe Biden pa gjatë fundjavës.
Ai është presidenti i parë amerikan që viziton Amazonën.
Në Manaus, kryeqyteti i shtetit të Amazonas, Presidenti Biden njoftoi se administrata e tij, këtë vit e tejkaloi synimin për të ndarë 11 miliardë dollarë në vit për politikat ndërkombëtare në lidhje me klimën. Kjo ishte një nga kërkesat kryesore e vendeve në zhvillim për të luftuar ndryshimet klimatike.
“Lufta për të mbrojtur planetin tonë është një luftë për njerëzimin, për brezat që do të vijnë. Mund të jetë i vetmi kërcënim ekzistencial për të gjitha kombet dhe për mbarë njerëzimin”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Biden, gjithashtu, u takua me udhëheqësit e popullsisë indigjene. Gjatë takimit ai njoftoi për ndarjen e një fondi amerikan për disa nisma klimatike, duke përfshirë 50 milionë dollarë për Fondin e Amazonës.
Nga Manaus, Presidenti Biden shkon në takimin e 20 ekonomive më të mëdha, G20, në Rio de Zhaneiro. Burime diplomatike i thanë Zërit të Amerikës se janë të shqetësuar se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të luftuar ndryshimet klimatike do të zvogëlohen në mënyrë dramatike nën administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, pjesë e së cilës janë shumë vende të botës që synojnë luftimin e ndryshimeve klimatike.
Presidenti Biden tha se ai po i lë pasardhësit të tij dhe vendit një “bazë të fortë për të vazhduar punën, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.
Ai foli për suksesin e politikave mbi klimën duke përdorur terma ekonomikë dhe garën mes vendeve në “shfrytëzimin e revolucionit të energjisë së pastër”.
“Është e vërtetë, disa mund të bëjnë përpjekje të mohojnë ose vonojnë revolucionin e energjisë së pastër që është duke u zhvilluar në Amerikë, por askush nuk mund ta kthejë prapa atë”, thotë Presidenti Biden.
Presidenti i zgjedhur Trump thuhet se po planifikon të heqë përfitimet ekzistuese nga taksat për ata që blejnë automjete elektrike. Përfitimet janë pjesë e politikave të Presidentit Biden për energjinë e pastër dhe ndryshimet klimatike.
Presidenti i zgjedhur Trump vazhdimisht u referohet ndryshimeve klimatike si një “mashtrim”. Megjithatë, këshilltari i presidentit brazilian tha se ai nuk do të paragjykojë veprimet e administratës së ardhshme amerikane.
“Unë gjykoj veprimet. Do të shohim më vonë se çfarë qëndrimi do të mbajnë dhe më pas do të flasim. Tani për tani, Presidenti Biden ka qenë një partner i mirë për Brazilin, për Presidentin Lula da Silva”, tha Celso Amorim, këshilltar i presidentit të Brazilit.
Në takimin e G20-ës, Presidenti Biden do të përqëndrohet në të drejtat e punëtorëve dhe rritjen ekonomike që nuk e dëmton mjedisin dhe do të marrë pjesë në çeljen e nismës së Aleancës Globale Kundër Urisë dhe Varfërisë.
Presidenti Biden në Brazil pritet të ndërmarrë një zotim me rëndësi ‘historike’ për të përmbushur nevojat e fondit të Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Bankës Botërore që ka për qëllim të ndihmojë vendet e varfra të botës. Lajmi u konfirmua nga zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare, Jonathan Finer.
Këto janë gjithashtu nisma për të cilat shumë diplomatë shqetësohen se mbështetja amerikane nuk do të vazhdojë nën zotin Trump. Gjatë mandatit të parë Presidenti Trump i shkurtoi fondet e ndihmës për vendet e tjera.
(Zëri i Amerikës)