Prokurorët në Nju Jork kundërshtojnë mbylljen e çështjes ndaj zotit Trump

Nju Jork, 19 nëntor 2024 – Prokurorët në Nju Jork janë shprehur kundër çdo përpjekje për mbylljen e rastit ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump në çështjen penale që lidhet me falsifikimin e dokumenteve, por u treguan disi të hapur të martën për shtyrjen e dhënies së dënimit deri pas mandatit të tij të dytë.

Në dokumentat e depozituara të martën në gjykatë, prokuroria e Manhatanit tha se fitorja e Shtëpisë së Bardhë nga zoti Trump nuk përbën arsye për të hequr dorë nga një çështje të gjykuar tashmë.

Por “duke patur parasysh nevojën për të balancuar interesat kushtetuese”, thanë prokurorët, “duhet të shqyrtohet” ngrirja e mundshme e çështjes deri pas mbarimit të mandatit të zotit Trump.

Zoti Trump u gjend fajtor në muajin maj nën akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit me qëllim fshehjen e një pagese për të heshtur një histori për marrëdhënie jashtëmartesore në një skemë për të ndikuar tek zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Trump i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Shpallja e dënimi ishte caktuar më 26 nëntor. Por pas fitores së zgjedhjeve presidenciale këtë muaj, avokatët e zotit Trump i kërkuan gjykatësit Juan M. Merchan që të hedhë poshtë çështjen. Ata shkruan se çështja duhet të rrëzohet “për të lehtësuar tranzicionin e rregullt të pushtetit ekzekutiv dhe në interes të drejtësisë”. Gjykatësi u dha afat prokurorëve deri të martën për të shqyrtuar se si mund të veprohej me çështjen.

Prokurorët e Manhatanit thanë të martën se “janë të ndërgjegjshëm për kërkesat dhe detyrimet e presidencës” dhe e kuptojnë se kthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë “do të ngrejë pikëpyetje ligjore të paprecedentë”.

“Ne gjithashtu respektojmë thellësisht rolin thelbësor të jurisë në sistemin tonë kushtetues”, thanë ata.

Asnjë vendim nuk është marrë, ndërsa gjykatësi Merchan nuk ka thënë se kur do ta shpallë vendimin. Megjithatë, zëdhënësi i zotit Trump dhe drejtori i ardhshëm i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, e cilësoi reagimin e prokurorëve të martën si “një fitore totale dhe përfundimtare për Presidentin Trump” në një rast që ai prej kohësh e ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.

“Ekipi ligjor i Presidentit Trump po punon për rrëzimin e çështjes një herë e përgjithmonë”, tha zoti Cheung në një deklaratë. Hedhja poshtë e çështjes do të eliminonte gjetjen fajtor të zotit Trump dhe mundësinë e dënimit me burg.

Gjykatësi Merchan gjithashtu mund të vendosë që ta shtyjë çështjen dhe të presë derisa një gjykatë federale e apelit të vendosë mbi përpjekjen paralele të zotit Trump për ta larguar çështjen nga një gjykatë shtetërore ose mund të zgjedhë alternativa të tjera.

Zoti Trump u gjet fajtor për 34 akuza në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Zoti Trump ka thënë se nuk ka patur marrëdhënie intime me të dhe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

(Zëri i Amerikës)