Kremlini: Sulmi me raketë balistike në Ukrainë ishte paralajmërim për Perëndimin

Moskë, 22 nëntor 2024 – Kremlini ka thënë të premten se një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë, me një raketë të porsazhvilluar balistike hipersonike, kishte për qëllim ta paralajmëronte Perëndimin se Moska do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të tyre të “pakujdesshme” në mbështetje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se Moska përdori raketë të re – Oreshnik – në një sulm ndaj një objekti ushtarak të Ukrainës.

“Mesazhi kryesor është se Rusia do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve tw pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa dhe e furnizojnë Ukrainën me to dhe më pas marrin pjesë në sulme ndaj territorit rus”, u tha gazetarëve Peskov.

“Pala ruse i ka dëshmuar qartë aftësitë e saj, dhe linjat e veprimeve të mëtejshme hakmarrëse, në rast se shqetësimet tona nuk merren parasysh, janë shpalosur mjaft qartë”, shtoi ai.

Peskov tha se Rusia nuk ishte e obliguar t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për këtë sulm, por i njoftoi ato gjithsesi 30 minuta para lëshimit të raketës.

Putini mbetet i hapur për dialog, tha ai.

Të enjten, Putini tha se përdorimi i armës së re ishte përgjigje ndaj vendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

“Në kushte të luftimeve, një nga sistemet më të reja ruse me rreze të mesme veprimi është testuar”, tha Putin, duke shtuar se ajo ishte raketë hipersonike, e cila mund të bartë koka bërthamore.

Më herët gjatë 21 nëntorit, Kievi tha se Rusia kishte përdorur raketë balistike ndërkontinentale gjaë një sulmi masiv me raketa në Dnipropetrovsk.

Raketat balistike ndërkontinentale janë të dizajnuara që të kryejnë sulme bërthamore nga distanca të largëta.

Armë të tilla nuk janë përdorur më herët në luftën që Rusia e nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

(Radio Evropa e Lirë)