Irani synon të instalojë centrifuga “të reja dhe të avancuara”

Teheran, 22 nëntor 2024 – Irani ka thënë të premten se do të fillojë instalimin e një numri centrifugash “të reja dhe të avancuara”, si përgjigje ndaj një rezolute të miratuar nga agjencia për energji bërthamore e Kombeve të Bashkuara (IAEA).

Rezoluta e kritikon Republikën Islamike për, siç thotë, bashkëpunim të dobët dhe thekson se “është thelbësore dhe urgjente” për Teheranin të “veprojë për t’i përmbushur detyrimet e veta ligjore”.

Ajo u miratua më 21 nëntor, pak pasi shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, e vizitoi Iranin.

Ministria e Jashtme e Iranit dhe Organizata për Energji Atomike e lëshuan një komunikatë të përbashkët, në të cilën thuhet se kreu bërthamor Mohammad Eslami “dha urdhër për të ndërmarrë masa efektive, duke përfshirë nisjen e një serie të rëndësishme të centrifugave të reja dhe të avancuara të llojeve të ndryshme”.

Rezoluta e IAEA-s, e propozuar nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, vjen në një moment kritik kur presidenti i zgjedhur, Donald Trump, po përgatitet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump ndërmori një fushatë “presioni maksimal” me sanksione të intensifikuara ndaj Iranit dhe më 2018 i tërhoqi njëanshëm Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje historike e vitit 2015, e cila kishte hequr disa sanksione ndaj Iranit në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor, për të cilin Perëndimi dyshon se synon zhvillimin e një arme bërthamore.

Irani pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor.

Rezoluta e 21 nëntorit gjithashtu i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë me një hetim të nisur pas gjetjes së grimcave të uraniumit në dy vende që autoritetet iraniane nuk i kishin deklaruar si lokacione bërthamore.

Gjatë vizitës së Grossit, Irani u pajtua me kërkesën e IAEA-s për ta kufizuar sasinë e uraniumit të pasuruar deri në 60 për qind. Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar prej 90 për qind..

Megjithatë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili ishte kryenegociatori i Teheranit për marrëveshjen e vitit 2015, paralajmëroi se Irani nuk do të negociojë “nën presion”.

(Radio Evropa e Lirë)