Po u jepet përparësi vizave emigruese – anëtarët e afërt të familjes do të kenë përparësi

Avokati Kieran Both

Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (na shkruani në shqip në: [email protected])

 

Këto ditë, Departamenti i Shtetit ka nxjerrë të rejat e fundit lidhur me proçesimin e vizave nga ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së:

Pikat ku proçesohen si vizat emigruese ashtu dhe ato joemigruese po u japin përparësi aplikimeve për viza emigruese, por duke ofruar gjithashtu dhe shërbime për viza joemigruese. 

Megjithatë, numri dhe lloji i rasteve për viza që do të proçesohen varet nga kushtet në vendet përkatëse. Në to përfshihen kufizimet që qeveria e atyre vendeve ka vënë qoftë për lëvizjen qoftë për grumbullimin e njerëzve. Po ashtu, në përputhje me udhëzimet e qeverisë së SHBA-së për ruajtjen e sigurisë në vendet federale të punës, ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara kanë vënë në zbatim rregullin për distancim social si dhe masa të tjera mbrojtëse, gjë që ka sjellë uljen e numrit të aplikimeve që seksionet konsullore janë në gjendje të proçesojnë gjatë një dite. Seksionet konsullore do të rifillojnë të ofrojnë shërbimet rutinë për dhënien e vizave, sapo të mos ketë më rrezik për sigurinë në vendet ku ato veprojnë. 

Peticionerët dhe aplikantët që janë pjesë e proçesit të dhënies së vizave emigruese nuk janë thjesht numra. E kemi të qartë stresin si dhe vështirësitë që ata kaluan gjatë vitit të shkuar për shkak të uljes së kapacitetit të punës që erdhi si pasojë e koronavirusit dhe masave të nevojshme që u morën për të ruajtur shëndetin dhe garantuar sigurinë si dhe për të respektuar kërkesat në vend sikurse dhe si pasojë e kufizimeve të udhëtimeve dhe numrit të vizave të lëshuara. E kuptojmë gjithashtu mirë rëndësinë e secilës prej kategorive të vizave emigruese. Gjithsesi, gjatë pandemisë, Departamenti i Shtetit është detyruar të marrë vendime të vështira lidhur me mënyrën se si seksionet konsullore duhet t’i japin përparësi aplikimeve për viza emigruese, ndërkohë që po veprojnë jo vetëm me kapacitet të kufizuar, por dhe po mundohen t’i dalin në krye rasteve të prapambetura të vizave emigruese që janë grumbulluar me të rifilluar punën me kapacitet të plotë. Principi që udhëheq vendimin për t’i dhënë përparësi vizave emigruese është ribashkimi i familjeve gjë të cilën politika e emigracionit të SHBA-së e sheh si përparësi, një përparësi që tregohet qartë dhe në ligjet tona të emigracionit (INA). E thënë në mënyrë më specifike, përparësia e vendosur nga Departamenti i Shtetit bazohet në direktivën e qartë të Kongresit amerikan sipas së cilës Departamenti duhet të adoptojë një politikë që i jep përparësi atyre aplikantëve për vizë që janë anëtarë të afërt të familjes si dhe të fejuarve (viza K-1) të nënshtetasve amerikanë, të pasuar këta nga aplikantët për viza emigruese të kategorive të tjera preferenciale familjare.

Në përputhje me këto objektiva, ambasadat dhe konsullatat amerikane po adoptojnë një qasje të shkallëzuar për shqyrtimin e aplikimeve për viza emigruese në bazë kategorish që kanë përparësi, në një kohë kur po rifillojnë dhe zgjerojnë aktivitetin për proçesimin e tyre. Seksionet konsullore, aty ku është e mundur, po caktojnë takime çdo muaj me aplikantë brenda katër kategorive që kanë përparësi. Më poshtë po japim shkallët kryesore të vizave emigruese sipas rendit të përparësisë.

  • Shkalla Një: Vizat për adoptim ndërvendas të një anëtari të afërt familjeje, rastet e atyre që rrezikojnë t’u kalojë mosha (ato raste kur aplikanti rrezikon të mos kualifikohet më për shkak të moshës) si dhe vizat speciale emigruese (SQ dhe SI për shtetasit afganë dhe irakenë që punojnë për ose në emër të qeverisë amerikane)  
  • Shkalla Dy:  Vizat për anëtarët më të afërm të familjes; vizat për të fejuarin/ën; dhe vizat e rezidentëve që kthehen
  • Shkalla Tre: Vizat emigruese të kategorive preferenciale familjare dhe vizat speciale emigruese SE për punonjës të caktuar të qeverisë amerikane jashtë vendit  
  • Shkalla Katër: Të gjitha vizat e tjera emigruese, përfshirë ato të punës si dhe ato të diversitetit (llotaria amerikane)

Shumë ambasada dhe konsullata vazhdojnë të kenë një numër të madh çështjesh të prapambetura nga të gjitha kategoritë e vizave emigruese. Plani i përparësisë i udhëzon pikat e dhënies së vizave se si të maksimizojnë mjetet dhe personelin në dispozicion me qëllim që të proçesojnë sa më shumë raste të të afërmve të ngushtë të familjeve si dhe të fejuarve me qëllim që të paktën të pengohet rritja e mëtejshme e numrit të rasteve të prapambetura në këto kategori vizash si dhe duke shpresuar që ky numër të ulet. Megjithatë, plani i përparësisë udhëzon që çdo muaj të caktohen dhe të gjykohen edhe çështje të Shkallëve Tre dhe Katër. Departamenti e ka të qartë që aplikantët për viza, sidomos ata të Shkallëve Tre dhe Katër do të vazhdojnë të përballen me vonesa. E kemi gjithashtu të qartë që programe të caktuara, përfshirë dhe atë të vizave të diversitetit veprojnë në bazë të vitit fiskal, siç e kërkon ligji. Departamenti e vlerëson programin e vizave të diversitetit dhe po bën të gjitha përpjekjet për të proçesuar sa më shumë viza që është e mundur, duke respektuar përparësitë e tjera si dhe pavarësisht nga shtrëngesat e forta operative si dhe rastet e prapambetura që janë grumbulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjithsesi, si pasojë e koronavirusit, numri i vizave të lëshuara në kategoritë preferenciale që kanë më pak përparësi ose në programe si ai i diversitetit të vizave, nuk do të kapin tavanin që parashikon ligji për vitin fiskal 2021. 

Ju këshillojmë të konsultoheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit lidhur me situatën tuaj konkrete. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]